Berisha dhe Balje dorëzojnë ankesë në Supreme

Aktuale

Berisha dhe Balje dorëzojnë ankesë në Supreme

Më: 9 mars 2021 Në ora: 12:05
Duda Balje dhe Veton Berisha

(E plotësuar 13:07) - Partitë e komuniteteve boshnjake dhe egjiptiane kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e djeshëm të PZAP-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ani pse u shprehën të kënaqur me vërtetimin, siç thanë se ka pasur orkestrim të votave në vendbanimet serbe për subjekte të caktuara, kërkuan nga Gjykata Supreme të anulojë votat në tërë vendbanimet me shumicë serbe të Iniciativës Rome dhe asaj boshnjake të Adriana Hoxhiqit.

PZAP vendosi që t’i hiqen votat Iniciativës Rome që i kishte marrë në Leposaviq, Novobërdë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot, por në kërkesën drejtuar Supremes u kërkua që vendim i njëjtë të merret edhe për komunat Graqanicë, Mitrovicë Veriore , Lipjan e Kamenicë.

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha deklaroi se në Graçanicë ka ndodhur orkestrimi më i madh i votave dhe se vendimi i PZAP që vlen për disa komuna dhe për disa të tjera jo është i pakuptueshëm.

Berisha: PZAP mori vendim vetëm për disa komuna

“Jemi të kënaqur për bazën e ankesës sonë, bazën e shqetësimit ku nga PZAP është konfirmuar se ka pasur orkestrim të votave. Vendimi është meritor, është konstatuar ajo që kemi thënë. Ndërsa sot kemi ardhur të ankimojmë vendimin e PZAP-së që ka marrë për vetëm për disa komuna. Ndërsa ankesa ka qenë për të gjitha komunat që i kemi pretenduar. Sot në Supreme jemi për të njëjtën çështje dhe dukuri, por për tri komunat e tjera që nuk kanë qenë të përfshira, e më e rëndësishmja Graçanica që nuk ka qenë e përfshirë në vendimin e PZAP si njëra ndër komunat kryesore ku ka qenë orkestrimi më i madh. Ka mbetur vota akoma për Iniciativën Rome e cila mbetet legjitime brenda Kuvendit nëse mbetet kështu. Nuk ka të bëjë a do të hyjë unë në Kuvend apo jo, por nuk ka pikë kuptimi nëse vendoset për një dukuri, por vendoset pjesërisht për disa komuna po, e disa jo. E njëjta gjë ka ndodh edhe në Mitrovicë Veriore pasi PZAP nuk e ka trajtuar atë fare”, tha ai.

Ndërsa, udhëheqësja e listës Bashkimi Socialdemokrat boshnjak Duda Balje konfirmoi se në bazë të vendimit të PZAP ajo do të jetë sërish deputete.

Por ankimoi një pjesë vendimit të PZAP për të anuluar votat e iniciativës së Hoxhqiq në tërë komunat serbe, e disa jo.

Balje: Shteti duhet të mbrojë komunitetet

“Ne si përfaqësues të boshnjakëve jam të kënaqur. Kemi vetëm dy pika jo të qarta, për të cilat mendoj se është problemi teknik. Edhe me votat që i ka marrë në disa komuna serbe, ato janë anuluar pjesërisht. Ne kemi bërë një analizë që e kemi në padi se sa boshnjakë janë duke jetuar atje. Tash po presim. Këtu është një moment ku shteti i Kosovës duhet të na mbrojë neve komuniteteve pasi ne synojmë vetëm vendet që garantohen me Kushtetutë. A do të jem deputete? Nëse Gjykata Supreme mendon njëjtë si PZAP, po”, tha Balje.

Pas Hoxhiq, edhe Duda Balje dorëzon ankesë në Supreme

Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme  pas vendimit të PZAP’it për rinumërim të votave në vendbanime të banuara me boshnjakë në Kosovë.

Balje beson se pas vendimit të Supremes, do të sigurojë një vend në Kuvend.

‘’Ne thirremi në emrin e Kushtetutës për me i mbrojt të drejtat tona. Po besoj që do të sigurojmë një ulëse.’’, ka thënë ajo.

Në ndërkohë PZAP’ja dje e ka pranuar si pjesërisht të bazuar apelin e partisë së Baljes, që apeloi kundër vendimit të KQZ’së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“PRANOHEN pjesërisht të bazuara apelet Anr.656/2021. A.nr.733/2021 dhe A.nr.735/2021 të paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka të datës 05.03.2021 kundër vendimit të KQZ-së nr.860-2021 të datës 04.03.2021, për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtur me 14 Shkurt 2021”, thuhet në vendimin e PZAP’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat