30 qershori caktohet si datë paraprake për kalimin e dosjes së Haradinaj e Gucatit te trupi gjykues

Aktuale

30 qershori caktohet si datë paraprake për kalimin e dosjes së Haradinaj e Gucatit te trupi gjykues

Më: 9 mars 2021 Në ora: 14:47
Gucati dhe Haradinaj

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, në rastin ku po akuzohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e ka caktuar 30 qershorin si datë paraprake për kalimin e dosjes së çështjes tek trupi gjykues.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku thuhet se këtë vendim gjykatësi e ka marrë me 8 mars.

Ndryshe, Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat