Lajmi i fundit nga QNR, mësohet se çka po ndodh me votat e AAK-së

Aktuale

Lajmi i fundit nga QNR, mësohet se çka po ndodh me votat e AAK-së

Më: 9 mars 2021 Në ora: 16:04
Votat

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i votave me kusht dhe atyre nga jashtë vendit, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të rinumërohet vetëm votat për kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkohë në QNR është duke vazhduar rinumërimi edhe i vendvotimeve të tjera.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se janë 134 vendvotime për të cilat ka vendosur PZAP që të rinumërohen dhe 7 vendvotime nga KQZ.

Procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve, Elezi tha se pritet të përfundojë së shpejti pasi që bëhet fjalë vetëm për rinumërim të votave të kandidatëve të një subjekti politik. Rinumërimi i tillë Elezi tha se nuk merr shumë kohë për të përfunduar.

“Në QNR, KQZ është duke vazhduar të zbatojë vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të rinumëruar vendvotime të caktuara ashtu siç ka vendosur ky institucion pas ankesave të kandidatëve të subjekteve të ndryshme politike. Gjatë ditës së djeshme kemi filluar me numërimin e votave me kusht dhe sot në mesditë kemi përfunduar me numërimin e votave të cilat kanë ardhur nga jashtë vendi. Kështu ka qenë vendimi i PZAP, pra për të rinumëruar vetëm votat e kandidatëve të subjektit politik AAK. Në vazhdim KQZ është duke numëruar vendvotime të tjera sipas vendimeve të PZAP. Në përgjithësi janë 134 vendvotime për të cilat ka vendosur ky institucion, pra PZAP, që të rinumërohen dhe 7 të tjera janë me vendim të KQZ-së. Pra, janë gjithsej 141 vendvotime të cilat rinumërohen këtu në QNR”, tha ai.

Sa i përket shpalljes së rezultateve, Elezi tha se do të bëhet posa të përfundojnë të gjitha procedurat që parashihen pas rinumërimit të vendvotimeve.

“Sa i përket rezultateve qoftë të rinumërimit të votave me kusht, votave nga jashtë vendit të cilat janë rinumëruar këtu në QNR apo edhe rinumërime të vendvotimeve të tjera natyrisht se rezultatet e tyre do të publikohen në një kohë sapo ato të jenë të gatshme, posa të përfundojnë të gjitha procedurat që parashihen në QNR sepse ato të dhëna të cilat merren pas plotësimit të formularëve të ri duhet kohë derisa të hyjnë sërish në sistem, të gjenerohen dhe natyrisht se KQZ do t’i publikojë në një kohë optimale”, tha Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat