“Vjedhja brenda sojit”, Kelmendi thotë se demokracia s’është për këta politikanë, propozon mbylljen e listave

Aktuale

“Vjedhja brenda sojit”, Kelmendi thotë se demokracia s’është për këta politikanë, propozon mbylljen e listave

Më: 9 mars 2021 Në ora: 22:54
Adriatik Kelmendi

Adriatik Kelmendi, gazetar, ka reaguar lidhur me skandalin e vjedhjeve të votave nga Dardan Stublla, bashkëshorti i ish-kyrediplomates, Meliza Haradinaj-Stublla.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kelmendi ka propozuar që të mbyllen listat, në mënyrë që mos të ketë vjedhje.

“Kështu që soji i tyre duhet vënë në rend që para zgjedhjeve. Në lista të mbyllura. Le t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit para se të përpilohen listat dhe jo pasi të kenë votuar qytetarët”, ka shkruar Kelmendi.

Tutje, Kelmendi është shprehur se demokracia nuk është për këta politikanë.

“Demokracia s’është për këta politikanë. Listat e hapura s’bëjnë për ta. Qytetarët e shkretë dalin në dimrin e 14 shkurtit, presin radhë, votojnë një për një, shkojnë në shtëpi. Në orën 19:00 kur qytetari ua dorëzon sërish partive fillon tmerri. Vjedhja brenda sojit”, ka shkruar Adriatik Kelmendi.

Krejt këto reagime vijnë pas publikimit të një video nga Insajderi ku zbulohet se si afaristi Dardan Stublla bashkëshorti i Meliza Haradinajt-Stubllës, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar kësaj të fundit.

Meliza Haradinaj-Stublla, tashmë ka rënë nga lista e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo pas rinumërimit të votave me kusht, atyre me postë, dhe shtatë kutive të rinumëruara më parë në QNR.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat