Takohen Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku

Aktuale

Takohen Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku

Më: 10 mars 2021 Në ora: 00:46
Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri

Pas shpalljes së kandidaturave për kryetar partie, Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku janë takuar ndërmjet vete.

Lajmin e ka bërë publik gazetari, Kushtrim Sadiku.

Ndërkohë, merret vesh se ata kanë arritur një “marrëveshje” në parim.

”Kushdo që do ta fitojë garën, do të jetë pjesë e ekipit”, thonë këto burime.

Ndryshe, pos Anton Qunit që e ka shpallur kandidaturën i pari, para dy ditësh të njëjtën e ka bërë edhe Lumir Abdixhiku e Lutfi Haziri.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri sot (të mërkurën) sot përmes një konference me gazetarë do ta bëjë prezantimin e kandidaturës së tij për kryetar partie.

Ndërsa, Abdixhiku kandidaturën e ka bërë publike përmes një njoftimi në Facebook.

Po, do të jem kandidat!

Më 14 shkurt morëm rezultatin më të rëndë historik. Me vetëm 12.6% e me vetëm 110 mijë vota, u renditëm në pragjet më të ulëta politike. Ishte ndëshkim nga njerëzit tanë, nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim. E rëndë është rënia, por, më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim!

Mburrja jonë ndërtohet mbi të shkuarën; prandaj, ne e falenderojmë dhe e nderojmë secilin për shërbim. Por, e shkuara s’na mjafton më! Përpjekja jonë politike duhet t’i qëndrojë të sotmes. Reformat duhet ta projektojnë të ardhmen. Ato duhet të jenë të thella dhe të pashmangshme. Shtyllat tona ideologjike i mbijetojnë kohës – njerëzit jo!

Shtëpia jonë politike duhet të ringritet e të përfaqësojë sërish vendin tonë të mbarë e të mirë me njerëz të ndershëm, të zgjedhshëm, të dijshëm, punëtorë e kredibil. Mendjet tona të brendshme duhet të forcohen e dyert tona duhet të hapen për secilin me mendim të lirë e kritik e me vullnet për shërbim ndaj vendit. Përpjekja jonë vazhdon sepse ideja jeton. Dhe, kur ideja jeton, ringritja është e pashmangshme; s’ka se si të jetë ndryshe.

Përtej mbështetjes së votuesve që mora sërish, ditëve të fundit nga anëtarë e mbështetës të LDK-së kam marrë kërkesë për t’i prirë ndryshimit të madh. Përveç konsideratë, ky është nderim. Thirrjet më vijnë nga delegatë, veprimtarë e votues nga të gjitha qytetet e Kosovës; nga të gjitha gjeneratat e kontribuesve; nga të gjitha rajonet. Më 14 mars, do ta pranoj këtë kërkesë e këtë propozim si privilegj dhe si përgjegjësi.

Të dielën, më 14 mars, do të kandidoj për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nuk do të ketë marrëveshje; s’duhet të ketë! Do të ketë garë dhe garë të drejtë e me votë të fshehtë. Na duhet një proces zgjedhës demokratik për të mbajtë një standard të lartë politik. Le të vendoset lirë. Veç LDK mund ta bëjë një gjë të tillë!

Natyrisht se ka të tillë që – përkundër rezultatit të tanishëm – vazhdojnë të insistojnë në mosndryshim dhe se çdo ndryshim e refuzojnë ekzistencialisht. Nuk i kuptoj; i pres, por s’i mirëpres. Gjithsesi i respektoj për mendim. Unë, megjithatë, rrugën përpara e shoh ndryshe. Dhe në këtë rrugë pres zgjim. Zgjim të shumicës për rikthim sepse në rënie s’mund të rrimë të qetë për asnjë çmim.

Prandaj, deri në ditën e Kuvendit, i ftoj të gjithë bashkëmendimtarët në LDK, të gjithë veprimtarët aktiv, të gjithë njerëzit e vullnetit për ndryshim që të më bashkangjiten e të ecim së bashku në këtë rrugëtim të ri.

I juaji,
Lumiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat