Edhe dy kandidatë mund t’i hyjnë garës për kryetar të LDK-së. Kështu është vendosur për procedimin e kandidatëve dhe për zgjedhjen e liderit

Aktuale

Edhe dy kandidatë mund t’i hyjnë garës për kryetar të LDK-së. Kështu është vendosur për procedimin e kandidatëve dhe për zgjedhjen e liderit

Më: 10 mars 2021 Në ora: 12:37
LDK

Gara për kryetar të LDK-së pritet të ashpërsohet edhe më shumë.

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri te mbajtja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të LDK-së, media merr vesh se janë edhe dy zyrtarë nga kjo parti që me gjasë do ta shpallin kandidaturën për kryetar partie.

”Janë edhe dy kandidatë që po përfolet se do t’i hyjnë garës për kryetar partie”, thonë burime brenda LDK-së.

Ndonëse nuk janë konfirmuar emrat, ka gjasa që edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti t’i hyjë garës.

”Edhe pse vetë Avdullah Hoti ende nuk ka vendosur, në LDK po përflitet se edhe ai mund t’i hyjë garës. Brenda pak kohësh do të vendos”, tha ky burim.

Ndërkohë, ditë më parë edhe Melihate Tërmkolli nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i hyjë garës.

Ajo në një intervistë që e kishte dhënë kishte paralajmëruar mundësinë që t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së.

Pos tyre, ende nuk dihet nëse lideri i dikurshëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka ambicie për kryetar të partisë. Ai para çdo procesi zgjedhor “aktivizohet”, duke mos përjashtuar asnjëherë mundësinë që të garoj për kryetar partie, por që në fund tërhiqet.

Media ka provuar të flas me të, por kontaktinka qenë i pamundur.

Zyrtarisht, ndërkaq janë tre kandidatë në garë.

Anton Quni, Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku janë emrat që deri më tani i kanë shpallur zyrtarisht kandidaturat.

Media merr vesh se Kryesia e partisë është dakorduar që të gjithë kandidatëve t’u lejohet garimi.

Pra, “pengesa” e nenit të famshëm të Statutit të LDK-së ku secilit kandidat për t’i hyrë garës i nevojiten 50+ 1 % të votave të të gjithë delegatëve të Kuvendkt, do të “injorohet”.

”Është arritur dakordimi që secilit kandidat t’i lejohet garimi. Nuk do të jetë më pengesë Statuti, gjegjësisht kushti formal që kandidatura të konfirmohet me 50+1% të votave të delegatëve të Kuvendit”, thonë këto burime.

Merret vesh poashtu se është vendosur që zgjedhja e kryetarit të shkoj me votim të fshehtë.

”Nëse asnjëri kandidat nuk e merr gjysmën e votave të delegatëve prezent në Kuvendin zgjedhor, atëherë dy kandidatët më të votuar, do të shkojnë në raundin e dytë”, thonë këto burime.

Ndërkohë, sot Lutfi Haziri nga Gjilani do ta shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së, me një konferencë për media.

E, kundërkandidati i tij, Lumir Abdixhiku këtë e ka bërë përmes një statusi në Facebook.

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se partia e tij do të ‘rikthehet fuqishëm’ dhe se Kosova ka nevojë për ‘një parti shtetformuese si LDK-ja”.

Mustafa u pyet lidhur me kandidaturat e deritashme për kryetar të partisë (Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku) dhe për këtë çështje tha se ‘është shumë e rëndësishme se kush do të jetë në krye të LDK-së”.

“Vlerësoj se është shumë e rëndësishme kush do të jetë në krye të LDK-së. Por mbi të gjitha është uniteti dhe fryma fundamentale e LDK-së, demokracia e brendshme dhe solidariteti partiak. Janë këto vlera që e dallojnë LDK-në nga partitë e tjera”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se LDK nuk zëvendësohet nga ‘asnjë frymë apo parti e konjukturave”. Shtoi se ‘populizmi s’mund të jetë substitute i shtetformimit’.

“Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese, si LDK-ja. Prandaj LDK do të rikthehet fuqishëm. Asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç eshte LDK. Popullizmi nuk mund të jetë substitut i shtetformimit”, tha Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat