LAJMI I FUNDIT: Besian Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Besian Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së

Nga: N. H Më: 10 mars 2021 Në ora: 16:21
Besian Mustafa

Pas Anton Qunit, Lumir Abdixhikut dhe Lutfi Hazirit, edhe Besian Mustafa, ka deklaruar se do të kandidoj për kryetar të partisë, në zgjedhjet e 14 marsit.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, këtë e ka konfirmaur përmes një postimi në Facebook, shkruan Bota sot.

Ai mes tjerash ka shkruar se LDK-ja do të shkëlqejë përsëri, ndërsa u ka uruar sukses edhe kundërkandidatëve të tij.

Ja shkrimi i tij:

Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars.

Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika.

Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes.

Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK.

LDK-ja ka nevojë për reformim, por jo për denigrim. Duke u shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshme.

Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe.

Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm.

LDK-ja do të shkëlqejë përsëri!

Kolegëve kandidatë ju uroj sukses. Fituesi duhet dhe do ta ketë gjithsecilin anëtarë të LDK-së në shërbimin e tij për ta riforcuar partinë. Na priftë e mbara!

Zoti e bekoftë LDK-në!

Zoti e bekoftë Kosovën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat