Bekim Jashari: Diaspora shqiptare kontribuese e madhe e çlirimit të Kosovës në frontet e luftës me uniformë të UÇK-së, përballë okupatorit serb

Aktuale

Bekim Jashari: Diaspora shqiptare kontribuese e madhe e çlirimit të Kosovës në frontet e luftës me uniformë të UÇK-së, përballë okupatorit serb

Më: 12 mars 2021 Në ora: 17:31
Bekim Jashari dhe gazetari Nefail Maliqi

Me rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës falë NATO-s në ditët e “Epopesë së UÇK-së”, gazetari i kombëtare Bota sot, ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me djalin e heroit Hamëz Jashari, njëherësh edhe kryetari i komunës së Skenderajt z.Bekim Jasharin.

Sulmi i forcave serbe mbi familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. Gjate vizitës sonë në Prishtinë, na ranë në sy afishe me mbishkrime “Liria ka emër-UÇK-në! Por, në Prekaz pashë se Kulla e Jasharëve kishte emër, por jo edhe shtet! Në fakt ka shtet, por Kosova që 23 vjet nuk pat qeveri, por bandite, hajna dhe kriminelë! E kishin lënë shkret kullën e Jasharëve në Prekaz. Turp! Faqezitë, liderët e Kosovës për 23 vjet ndërtuan villa, shtëpi luksoze dhe kulla për vete, por jo edhe Kullën e Jasharëve, simbolin e rezistencës, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!

Bekim Jashari, anëtari i familjes legjendare Jashari, situatën e viteve të fundit e ka cilësuar të mirë në krahasim të para vitit 1999, për të cilën gjendje ai ka falënderuar ushtarët e UÇK-së si dhe ndërkombëtarët, sidomos NATO-n si dhe diasporën shqiptare, të cilët ndihmuan gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në zhvillimin e vendit tonë.

Pyetjes se çfarë mendon për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ide këto të Vuçiçit dhe Thaçit, i pari i Skënderaj, njëherësh anëtari i familjes legjendare Jashari në vazhdim ka thënë se “pretendimet për ndarje, për copëtimin e trojeve shqiptare në këtë shekull, mund të na dërgojnë në një krizë edhe më të thellë se sa në vitin 1999. Prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë kujdes se si sillet me shqiptarët meqë jemi dëshmitarë se më parë ne jemi tradhtuar, na është bërë shumë hile dhe padrejtësi e madhe si popull, si një komb në Ballkan të ndarë në disa shtete. Fillimisht me ndarjen e Shqipërisë dhe Kosovës e pastaj me copëtimin e viseve shqiptare në ish-Jugosllavi që aktualisht kanë mbetur jashtë dy shteteve tona sikur ata në Luginën e Preshevës ashtu edhe ata në Maqedoni, Mal të Zi dhe Greqi. Ndër shekuj na janë bërë padrejtësi neve shqiptarëve në Ballkan, prandaj ky është treni i fundit nëse faktori ndërkombëtar dëshiron qetësi në këtë pjesë të Evropës…”

“Ne falënderojmë NATO-n dhe shtete mike. Mirënjohje për diasporën për kontributin në luftën tonë. Shtetin që e krijuam falë atyre që nuk e kursyen jetën e kemi amanet ta zhvillojmë. Në rrugën tonë duhet të jemi të bashkuar. Sot 23 vite pas falë punës së përbashkët kemi ushtrinë tonë”, ka thëne z.Jashari

“Ne kemi thënë si familje kemi bërë ftesë e thirrje, e po e përsëris edhe sot që duhet të bëhen bashkë, kur ka çështje të tilla siç është tani dialogu me Serbinë, duhet të përmbyllen, dhe duhet të krijojmë fqinjësi të mirë. Duhet të ulen e të marrin vendime të bashkuar s’munden me shku të gjithë në takim. Më këto neglizhenca dhe inatet personale pe dëmtojnë vendin tonë...Inatet personale që kanë liderët politik në vend janë duke dëmtuar procesin e Kosovës në dialog me Serbinë..” ka thënë Bekim Jashari.

Bekim Jashari: Që 20 vite, liderët tanë bënë fushatë me Luginën e Preshevës për “bashkim me Kosovën” edhe pse e dinin se një gjë e tille nuk e lejon Kushtetuta!

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka folur për zgjidhjen përfundimtare të problemit me Serbinë, e që po mendohet të përfshihet edhe Lugina e Preshevës, duke iu bashkangjitur Republikës së Kosovës. Lidhur me Luginën e Preshevës z.Jashari ka thënë se “liderët e Kosovës as qeveritë e deritanishme nuk kane kanë bërë sa duhet dhe nuk kanë qenë serioze me ta dhe me këtë pjesë të trungut shqiptar, fatkeqësisht është bërë fushatë, qoftë parazgjedhore por edhe karrieriste…”

“Nëse vërtetë qeveritë tona janë të interesuara të ndihmojnë Luginën e Preshevës ka forma të ndryshme para deklaratave pompoze për bashkim apo premtime tjera që më shumë ishin fushata se sa një angazhim serioz. Shqipëria dhe Kosova ka forma tjera për ta mbështetur Luiginën e Preshevës përmes ndihmave dhe projekteve konkrete. Ne kemi shembullin ku Qeveria e Shqipërisë dhe e jona u bashkuan për ta ndihmuar maternitetin, që sipas informacioneve të mia, ai maternitet ende se kryen funksionin e vet si duhet. Çka qytetarët, motrat dhe nënat tona atje vazhdojnë të shkojnë në spitalet serbe në Vranje, Laskovc apo Nish e Beograd...Prandaj jemi larg shumë për bashkim. Unë jam për bashkim kombëtar, për bashkimin e Luginës me Kosovën, por kjo nuk bëhet më me ëndrra e fjalë, por me vepra dhe punë konkrete. Nuk ka bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën pa ndryshimin e Kushtetutës. Nuk di unë pse ju është thënë viteve të fundit vëllezërve tanë se “po bashkohemi”, kur liderët tanë e kanë ditur shumë mirë se një gjë e tillë nuk e mundëson Kushtetuta jonë.. “, ka shtuar z.Jashari.

“Me fjalët korrigjim, kthimi apo bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën përkundër dëshirës sonë, këta liderët tanë që 20 vite kanë thënë më shumë për fushatë, sepse Kushtetuta e Kosovës një gjë të tillë nuk e lejon. Këtë e ka ditur çdo qeveri apo presidenti i Kosovës, këto dy deceniet e fundit. Unë jam për bashkimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me Kosovën, por pa pasur nevojë t’i japim Serbisë asgjë, sepse ne nuk i kemi borxh asgjë dhe ne nuk bëjmë pazar me tokat tona...Që 20 vite qeveritë tona fushatë me Preshevën?! Është koha ta marrim seriozisht çështjen e Luginës. Të bashkohen së pari kokat e liderëve e pastaj tokat tona!..”, ka thënë Bekim Jashari.

Lidhur me procesin e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, z.Jashari ka thënë se ky proces duhet vazhduar por pa prekje të kufijve. “Çështja e Luginës së Preshevës duhet të futet edhe në dialogun e Brukselit. Nëse në Bruksel bisedohet për pakicat serbe në Kosovë, pse të mos debatohet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët në këtë rast janë numerikisht më shumë se sa serbët në Kosovë. Bile sot serbët e Kosovës janë të privilegjuar sa nga Qeveria serbe e Beogradit dhe qeveritë tona në Prishtinë, po aq edhe nga ndërkombëtarët, kurse qytetarët e tri komunave shqiptare, aktualisht në Serbi si Medvegja, Bujanoci dhe Presheva janë të diskriminuar?!..Prandaj liderët e Luginës së Preshevës duket ngritur zëri vazhdimisht për realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, qoftë para autoriteteve serbe po ashtu edhe tek ndërkombëtarët.”

Diaspora shqiptare dje ndihmoi në çlirimin e Kosovës, kurse sot në ndërtimin e saj

Lidhur me rolin dhe kontributin e familjes së Jasharëve pas luftës dhe inkuadrimin e tyre në politikë kryetari i Skenderajt, z.Bekim Jashari në vazhdim e shpjegon se “sikur Serbia dikur që na imponoi t’i kapim pushkët për ta mbrojtur pragun tonë, për ta mbrojtur vendin tonë, ashtu sot zhvillimet politike në Kosove të cilat nuk po shkojnë ashtu siç duhet, na është imponuar t’i hyjmë politikës me dashje e padashje. E thashë këtë sepse nuk mund të ndjehesh sot rehat e as komod përballë këtyre proceseve, dështimeve dhe zhvillimeve dramatike që po e përcjellin vendin tonë. Prandaj edhe unë personalisht në vitin 2017 u inkuadrova në politikë si kryetar i Komunës së Skenderajt, për t’i kontribuar vendit tim, avancimit të proceseve demokratike për zhvillimin e vendit, për një komunë stabile. Sepse gjithçka fillon nga shtëpia jonë, nga komuna. Nëse s’kemi një komunë stabile dhe të zhvilluar, nuk do kemi as shtet stabil dhe të zhvilluar!...Merre me mend politika jonë ka bërë që anëtarët e gjallë të familjes Jashari të inkuadrohen në politikë?! Ne kemi luftuar dhe kemi ëndërruar për një Kosovë më ndryshe e jo si kjo siç është sot. Fatkeqësisht gjërat nuk kanë shkuar si duhet. ”

Në fund, rreth zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe fitores së VV-së, pra Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit dhe çfarë pret nga qeveria e re e Kosovës, Jashari u përgjigj se “me 14 shkurt u shpreh vullneti dhe dëshpërimi i qytetarëve të Kosovës, pse jo edhe ata ndëshkuan partitë e tyre edhe vet simpatizantët dhe militantët e partive të tyre, të cilët për njëzet vite ju ishin besnik, por nuk kishin bërë aq sa duhet për vendin...Dhe këtë angazhim jo serioz për vendin tonë ata e paguan me votën e popullit. Dhe tjetra është se qytetarët e Kosovës tashmë janë vetëdijesuar dhe duan ta shohin dritën dhe jo më natën, terrin. Dhe të zhgënjyer ata vendosin për ndryshim sepse vendi ka nevojë për zhvillim ekonomik, për të hapur fabrika pune, për tu hapur dyert investitorëve të huaj që këtu ta bëjmë Gjermaninë dhe Zvicrën tonë, pa pasur nevojë të shkojnë mijëra kilometra larg atdheut për një kafshatë bukë. Ku të ec vendi ynë përpara, kur një investitori i nevojitet 5-6 muaj të merren me letra, dokumente administrative duke bredhur lart e poshtë, për të hapur një biznes, ku ne po dalim jo serioz nga kjo burokraci pa kufi. Veç kësaj, është edhe ana tjetër, atyre ju kërkohen mito, korrupsion, haraç për të investuar në vendin tonë. Dhe gjitha këto bashkë me stagnimin e integrimeve, lobimin, papunësinë e madhe, eksodin sistematik ka bërë që populli ta humbin durimin, ka shpërthyer se është mbushur thesi dhe kjo revoltë, zhgënjim u tregua me 14 shkurt të cilit unë do ta quaja revolucion demokratik me votën e popullit ndëshkoi politikën 20 vjeçare!..”

“Diaspora shqiptare është ajo që e ka çliruar Kosovës, qoftë me ndihma financiare apo me pjesëmarrje fizike drejtpërdrejt në luftë, të cilët lanë luksin, standardin e lartë në Zvicër apo Gjermani dhe morën pushkën, u vishen me uniformë dhe paralel po popullatën ju kundërvunë forcave armike, pushtuesit tonë shekullor për ta çliruar Kosovën tonë të prirë nga UÇK dhe NATO. Dhe tash pas luftës diaspora po vazhdon t’i kontribuojë vendit në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. E them me keqardhje se rinia jonë e dëshpëruar me situatën e viteve të fundit, mund të themi se më shumë kane ikur këto njëzet viteve të fundit se sa para vitit 1999”, ka thënë në fund Bekim Jashari në intervistën dhënë gazetarit të gazetës "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat