Drejtori i Gazmend Muhaxherit tregon se kë e përkrahë për kryetar të LDK-së

Aktuale

Drejtori i Gazmend Muhaxherit tregon se kë e përkrahë për kryetar të LDK-së

Më: 13 mars 2021 Në ora: 10:14
Petrit Loci

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, Petrit Loci, ka treguar se cilin kandidat për kryetar të kësaj partie e përkrah në zgjedhjet që do të mbahen nesër.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, drejtori i Gazmend Muhaxherit ka bërë me dije se vota e tij do të shkojë për Lumir Abdixhikun.

Dega e LDK’së në Pejë ka numrin më të madh të delegatëve.

Image

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës, nesër me fillim nga ora 10:00, në njërin nga hotelet e Prishtinës, do të organizojë zgjedhjet për kryetarin e ri të këtij subjekti, që do ta pasojë Isa Mustafën.

Deri tash kandidaturën për të parin e LDK’së e kanë shpallur Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.

Në këtë ditë, 355 delegatë sa janë gjithsej sipas statutit, por, që me largimet e fundit po raportohet se ky numër ka rënë në 335, do të mblidhen në ora 10:00 në njërin nga hotelet e Prishtinës, për të marrë vendim se kush do t’i udhëheqë për dy vitet e ardhshme.

Megjithatë, këtë vit me pandeminë COVID 19 dhe vendimet e institucioneve shëndetësore ku ndalohen tubimet e më shumë se 80 personave takimi i të gjithë delegatëve e anëtarëve të tjerë mund të jetë i dënueshëm me ligjin aktual.

Media kanë kontaktuar me zyrtarë të Lidhjes Demokratike për t’i pyetur për mënyrën se si e kanë paraparë që të kryhet procesi i votimit, duke mos thyer masat.

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka thënë medias se janë në komunikim me autoritetet shëndetësore për të diskutuar për lejen e mundësinë e organizimit.

Ai ka bërë me dije se me këtë çështje është duke u marrë Arban Abrashi, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike.

Abrashi i ka thënë T7 se kanë marrë leje nga autoritetet shëndetësore që të mbajnë këtë mbledhje, duke shtuar se në sallën ku është paraparë që të mblidhen do të respektojnë të gjitha masat Anti Covid, përfshirë këtu edhe distancën.

Në statutin e LDK-së, thuhet se Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbëhet nga 355 anëtarë, që vijnë nga 38 degë të ndryshme nëpër Kosovë.

Megjithatë, me largimet e fundit pas përjashtimit të Vjosa Osmanit janë larguar edhe disa delegatë, e zyrtarë të partisë thonë se kanë mbetur 335 delegatë gjithsej që do të votojnë të dielën.

Në vitin 2019-të, LDK-ja kishte mbajtur Kuvendin e 9-të zgjedhor, derisa Isa Mustafa ishte zgjedhur në krye të këtij subjekti për herë të tretë, pasi që paraprakisht delegatët nuk kishin votuar që Fatmir Sejdiu të ishte kundërkandidat i tij.

Në kuvendin e 9-të zgjedhor ai kishte marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve. Procesi i Kuvendit Zgjedhor ndërkaq ishte mbajtur me dyer të mbyllura për publikun, derisa Mustafa u emërua kryetar duke u zgjedhur me aklamacion.

Edhe në Kuvendin Zgjedhor të 10-tin me radhë që do të mbahet të dielën është kërkuar në vazhdimësi që të ketë votim të fshehtë. Këtë kërkesë e ka përsëritur edhe kandidati për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Saktësisht një muaj pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 14 shkurtit që e radhitën Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti të tretë, me rezultatin më të dobët në historinë e këtij subjekti politik, Isa Mustafa do të lirojë edhe zyrtarisht karrigen e kryetarit që e mbajti për mbi një dekadë.

Tashmë disa pretendentë për karrigen më të rëndësishme të partisë veçse kanë shpallur kandidaturat.

Mirëpo, për të dalë para delegatëve të LDK-së në mënyrë që të votohesh për t’u bërë prijës i tyre nuk është aq e lehtë. Hiç më larg se në Kuvendin e fundit, Fatmir Sejdiu kishte dështuar të  marrë votat e gjysmës së delegatëve në mënyrë që t’i aprovohet kandidatura për kryetar të partisë. Të njëjtin fat e kishte pasur vite më parë edhe Vjosa Osmani.

Sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ditën që vendoset se do të emërohen strukturat e reja të subjektit, mblidhen në Kuvend zgjedhor delegatët e partisë.

Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatët e zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në këtë mënyrë nëse të pranishëm në sallë janë 335 delegatë, atëherë duhet që një kandidat të marrë 50 për qind plus 1 të votave të totalit të delegatëve.

Në këtë mënyrë, votat e delegatëve mund të eliminojnë më 14 mars ndonjërin prej tyre duke mos ia dhënë të drejtës t’i hyjë garës për t’u matur me votë në raundin final.

Tubimi i së dielës i LDK-së po bëhet në kohën kur në Kosovë janë rritur dukshëm rastet me COVID 19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat