Në Klinikën e Pediatrisë aktualisht nuk po trajtohet asnjë fëmijë me COVID-19

Aktuale

Në Klinikën e Pediatrisë aktualisht nuk po trajtohet asnjë fëmijë me COVID-19

Më: 16 mars 2021 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) aktualisht nuk është duke u trajtuar ndonjë fëmijë me virusin Sars Cov 2 (COVID-19).

Kështu tha në një prononcim për median drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku, e cila tregoi se një fëmijë i cili ishte duke u trajtuar në këtë repart me COVID-19, të hënën ka rezultuar negativ.

Sipas saj, ky fëmijë ka qenë pak më rëndë i atakuar nga COVID-19, mirëpo me terapinë e nevojshme e ka kaluar me suksese. Ajo tha se fëmija aktualisht është duke u trajtuar për sëmundjen tjetër që e ka.

“Fëmija i fundit ka qenë pak më e rëndë e atakuar por i është dhënë terapia e nevojshme. Ka rezultuar dje negativ dhe tashmë ka kaluar në repartin për tu trajtuar për sëmundjen që e ka. Për momentin nuk e kemi asnjë fëmijë të shtrirë me COVID-19”, ka thënë Telaku.

Pediatrja po ashtu tha se në repartin e Pediatrisë ka pas fëmijë të shtruar me COVID-19, të cilët kanë qenë shumë rëndë, pasi siç sqaroi ajo kanë pas sëmundje të tjera shoqëruese.

“Në përgjithësi fëmijët që i kemi pas me COVID-19 kanë qenë stabil, por në mesin e tyre kemi pas dhe disa fëmijë më rëndë, pasi kanë qenë fëmijë me sëmundje bashkëshoqëruese. Pra, kemi pas fëmijë mjaft rëndë. Fatmirësisht ata fëmijë e kanë përballu mjaft mirë COVID-19 dhe e kanë tejkalua dhe tani marrin trajtim për sëmundjet që i kanë”, ka thënë ndër të tjera doktoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat