A e shkeli Specialja Kushtetutën? Ben Emmerson ngre dyshime për ndikime politike dhe injorim të ligjeve të Kosovës

Aktuale

A e shkeli Specialja Kushtetutën? Ben Emmerson ngre dyshime për ndikime politike dhe injorim të ligjeve të Kosovës

Më: 16 mars 2021 Në ora: 15:44
Gjykata Speciale

Pas atij të Hashim Thaçit, edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, përmes një mocioni ka vënë në sprovë dhe ka hedhur dyshimet e tij për juridiksionin e Speciales. Në parashtresat e argumentuara nga Emmerson, dyshim bazë është shkelja e parimit të ligjshmërisë nga ana e institucionit të Speciales, konkretisht zyrës së Prokurorit të Specializuar. Emmerson hedh pretendime se Dhomat e Specializuara, janë kthyer në një gjykatë të jashtëzakonshme, gjë që sipas tij paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykatë de fakto e Jashtëzakonshme dhe jo e Specializuar – Ky është argumenti parësor i përdorur nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili me anë të një mocioni apo parashtrese ka hedhur dyshimet e tij mbi juridiksionin e Speciales.

Emmerson në argumentet e tij ka cituar nenin 103 të Kushtetutës ku thuhet parimisht se  lejohet krijimi i gjykatave të Specializuara në raste kur konsiderohet se është e nevojshme, mirëpo se sipas tij në mënyrë specifike ndalohet krijimi i ndonjë gjykate të jashtëzakonshme.

“Neni 103 (7) i Kushtetutës lejon, kur është e nevojshme, krijimin e gjykatave të specializuara ndërsa në mënyrë specifike ndalojnë krijimin e ndonjë gjykate të jashtëzakonshme për një arsye shumë të thjeshtë të përcaktuar nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (organi këshillues i pavarur i Këshillit të Evropës në çështjet kushtetuese) dhe Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë (CCJE): që gjykata të tilla të ngritura për të përmbushur nevojat “diktuara nga individi ose rrethana specifike ” krijojnë një “rrezik potencial (…) [i] dështimit për të siguruar të gjitha masat mbrojtëse të parashikuara në nenin 6 të Konventës”, thuhet në parashtresat e avokatit Emmerson.

Avokati britanik tutje argumenton se Gjykata Kushtetuese nuk e ka shqyrtuar ligjin për Dhomat e Specializuara ashtu siç është në vetvete,  por këtë e ka bërë për amandamentin e propozuar për këtë institucion.

Ai shton se as në shkëmbimin e letrave mes ish-presidentes Jahjaga dhe institucioneve të BE-së,  dhe as në nenin 162 të Kushtetutës, nuk i referohen një mundësie që Specialja të veprojë në bazë të një ligji të ndarë, apo të veçantë. Ai thotë se referencat e vetme mbi këtë pjesë kanë të bëjnë vetëm me çështjet procedurale.

“Prandaj, Mbrojtja parashtron se tani ekzistojnë arsye të drejta kushtetuese që Trupi gjykues i gjykatës të rishikojë këtë gjetje. Larg nga të qenit një pyetje teorike, natyra e KSK-së dhe pajtueshmëria e juridiksionit të saj me Kushtetutën e Kosovës janë pengesa konkrete ligjore për të drejtat kushtetuese të Z. Veseli për një të drejtë dhe gjykim të paanshëm, pa shmangie të jashtëzakonshme dhe arbitrare të procedurave të tilla siç përcaktohen në mocionet paraprake të Mbrojtjes së Z. Veseli për Sfidën e  juridiksionin e KSK-së dhe Aktakuzën. Prandaj, mbrojtja kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake të referojë çështjen në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse juridiksioni i KSK-së përputhet me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në parashtresat e avokatit të Veselit.

Avokati Emmerson tutje hedh dyshime edhe mbi bazën ligjore të zgjedhjes së gjyqtarëve, për të cilin proces thotë se devijon nga procedurat normale të përcaktuara me Kushtetutë.

Ai thotë se gjyqtarët e zgjedhur të këtij institucioni janë të gjithë ndërkombëtarë, dhe si të tillë ata nuk kanë asnjë lidhje juridike me sistemin kosovar të drejtësisë.

“KSC pretendon të jetë një gjykatë krejtësisht e brendshme, megjithatë të gjithë gjyqtarët, prokurorët e saj dhe stafi është ndërkombëtar. Jo vetëm që bën procedura e emërimit të gjyqtarëve të KSK-së të devijojë nga procedurat normale të përcaktuara në Kapitullin VII të Kushtetutës, por gjyqtarët e KSK-së nuk kanë asnjë lidhje zyrtare institucionale çfarëdo qoftë me gjyqësorin kosovar. Si rezultat, përfundimi i vetëm i mundshëm është se nuk kishte për qëllim të ishte një gjykatë e specializuar por më tepër një natyrë e jashtëzakonshme”, thuhet tutje në parashtresën e avokatit Emmerson.

Çështje tjetër e ngritur nga ai është edhe fakti se Dhomat e Specializuara kanë supremaci mbi të gjitha gjykatat tjera në Kosovë, e që sipas Emmerson sërish përbën një shkelje.

Bazuar në këto dhe të tjera argumente, ai ka kërkuar që “urgjentisht” kjo çështje t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese që funksionon në kuadër të  Dhomave të Specializuara.

“Mbrojtja i kërkon gjyqtarit të procedurës paraprake që urgjentisht ta referojë çështjen në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse KSK është kompetent për të gjykuar veprat penale të pretenduara kundër z. Veseli në një të drejtë dhe proces të paanshëm, të lirë nga ndikimi i panevojshëm politik i jashtëm, dhe i bazuar në ligjin e brendshëm të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në fund të parashtresës së argumentuar nga Emmerson.

Kërkesë të kësaj natyre kanë parashtruar edhe avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat