Gjykata Speciale arreston ish-ushtarin e UÇK-së në Belgjikë

Aktuale

Gjykata Speciale arreston ish-ushtarin e UÇK-së në Belgjikë

Nga: A.M. Më: 16 mars 2021 Në ora: 17:05
Gjykata Speciale

(E plotësuar 17:41) - Pjetër Shala, i njohur si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “Komandant Ujku”, është arrestuar sot në Belgjikë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

“Ujku”, gjatë kohës së luftës ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.

Në shkurt të 2019, ai ishte intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.

Me banim në Belgjikë, Shala kishte thënë se gjatë intervistimit nuk ka pasur avokat pasi nuk ka kushte për të pasur një avokat mbrojtës.

***

Gjykata Speciale ka arrestuar ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Pjetër Shalën, njofton "Bota sot".

Arrestimi është bërë sot  në Belgjikë, me fletarrestim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Arrestimin e Shalës e ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një njoftimit për media.

Image
Pjetër Shala

“Pjetër Shala arrestohet në Belgjikë në zbatim të fletarrestimit të lëshuar nga dhomat e specializuara të Kosovës.

Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.

Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale, shkruan "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat