​Mësimi në bankat shkollore apo online, SBAShK-u pajtohet për të dyja variantet

Aktuale

​Mësimi në bankat shkollore apo online, SBAShK-u pajtohet për të dyja variantet

Më: 16 mars 2021 Në ora: 17:32
SBASHK

Të mërkurën pritet që qeveria të marrë vendimin për shkuarjen më 22 mars në pushim të parakohshëm për të gjitha nivelet arsimore në vend, në mënyrë që të shqyrtohet mundësia e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit për dy javët e ardhshme.

Kjo pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit janë dakorduar të shkojnë në pushim, në mënyrë që gjatë javës që do të pushojnë, të shikohen mundësitë për nisjen e mësimit në formë online.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një konferencë për media tha në mësimin online do të përfshihen të gjitha nivelet, përveç atij parashkollor dhe çerdheve.

Ai tha se janë dakorduar për shkuarjen në pushim të parakohshëm në mënyrë që të ruajnë cilësinë, por edhe shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Kemi ardhur te disa konkluzione që në ditën e nesërme do t’i vlerësojmë së bashku dhe do të marrim një vendim përfundimtar sipas rekomandimeve të IKShP-së, që të kemi një shkuarje të pushimit të parakohshëm në të gjitha nivelet arsimore dhe kjo në bazë të rekomandimeve të institucioneve profesionale dhe të ruajtjes së cilësisë, por mbi të gjitha ruajtjes së shëndetit. Interesimi ynë është që të shkojmë 5 ditë përpara, por gjatë kësaj jave të bëhet vlerësimi nga Ministria e Arsimit, t’i koordinojmë në rastet, të cilat i gjurmojmë dhe testojmë dhe bëjmë kategorizimet e komunave dhe të shohim javën tjetër a mund të vazhdojmë me mësimin online apo duhet të ketë një ndërprerje dy javore për ta ulur pozitivitetin e arsimtarëve dhe të të rinjve”, tha ai.

Zemaj theksoi se do të shqyrtojnë edhe mundësitë që në rastet kur të dy prindërit punojnë të lirohet njëri nga ta nga puna.

Zëvendësministri në detyrë i MASH-it, Xhavit Rexhaj tha se kanë propozuar një javë pushim, pastaj rishikim për të parë se në çfarë forme të shkohet më tutje.

“Ne kemi propozuar që të mos i ndajmë fëmijët nga edukimi parashkollor, plus në universitet kemi propozuar që të shkojmë me një ri-shtrëngim të masave që ta kontrollojmë situatën në arsimin e lartë”, tha ai.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha për KosovaPress se kanë kërkuar që të mos ketë shkëputje klasike të vitit shkollor, por të kalojnë në mësimin online. Ai shtoi se mbetet të vendoset se cili nga variantet do të ndiqen, kthimi në bankat shkollore apo shkuarja online.

“Javën e 22 marsit do të jetë pushim klasik dhe pastaj do të mobilizohemi për të parë çka më tutje. Ose do të përmirësohen kushtet dhe do të kthehemi në shkolla ose do të kthehemi pa dëshirën tonë në mësimin online. Në të dy rastet SBASHK-u pajtohet dhe do të jep kontributin e vet”, tha Jashari.

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat