Prokurori Agron Uka e kishte rikualifikuar edhe një vrasje të rëndë në Gjilan si vrasje të rëndomtë

Aktuale

Prokurori Agron Uka e kishte rikualifikuar edhe një vrasje të rëndë në Gjilan si vrasje të rëndomtë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 16:07
Prokuroria Themelore në Gjilan

Për prokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, rikualifikimi i veprës penale nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje nga pakujdesia’ në rastin e vrasjes së 29-vjeçarit nga Deçani, Agonis Tetaj, nuk është diçka e pazakontë. Kjo pasi që Uka të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në vitin 2019, ku me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari me inicialet L.U, nga fshati Bresalc, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 25 vite burgim efektiv për veprat penale ‘Vrasje e rëndë’, ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, u bë kryefjalë në mediet kosovare të mërkurën e 17 marsit, pas rikualifikimit të veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje nga pakujdesia’.

Por kjo nuk është hera e parë që Uka në fjalën përfundimtare, merr një vendim të tillë, duke ulur kështu bazën për dënim të të akuzuarit. Njëjtë kishte vepruar edhe në dhjetor të vitit 2019, ku me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari me inicialet L.U nga fshati Bresalc, akuzohej për veprat penale ‘Vrasje e rëndë’, ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.

Image
Agron Uka

I njëjti për këto vepra ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 25 vite burgim efektiv, por që pas ankesës së avokatit të tij, kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ishte prokurori Uka, ai i cili gjatë fjalës përfundimtare në seancë gjyqësore, rikualifikoi veprën penale nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje’, pasi që sipas tij, duke u bazuar në vërejtjet e Gjykatës së Apelit, nuk ekzistojnë elementet e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe se vrasja ishte e rëndomtë.

“Për të ekzistuar një vepër e tillë duhet të shkaktohen dy pasoja, e në këtë rast kemi vetëm një pasojë, atë të vrasjes së viktimës F.A.”, kishte deklaruar Uka në gjykatë.

Sipas nenit 179 të Kodit Penal të Kosovës, kryesi i veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, ndërsa dënimi maksimal është burgim i përjetshëm.

Por pas rikualifikimit të veprës nga prokurori Agron Uka, për kryesin e veprës parashihet dënimi jo më pak se pesë vjet burgim.

Në rastin e L.U nga Bresalci i Gjilanit, Uka kishte hequr dorë edhe nga ndjekja penale për veprën ‘Kanosje’, sepse sipas tij, duke u bazuar në deklaratat e të dëmtuarve gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të argumentohet ekzistimi i kanosjes serioze.

Agron Uka i kishte propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor për veprat penale ‘Vrasje dhe ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe si rrethanë rënduese ta ketë parasysh të kaluarën kriminale të tij, ndërsa si rrethanë lehtësuese se i njëjti është penduar për veprimin e tij duke kërkuar falje dhe që gjykata t’i ketë parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së të ndjerit F.A avokati Hamdi Jashari, gjatë fjalës së tij përfundimtare kishte thënë se i akuzuari e ka kryer veprën penale me dashje sepse e ka mbajtur armën në dorë një kohë para se ta qëllonte viktimën, e me këtë rast edhe e ka ditur se mund të shkaktohet pasoja.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në fshatin Bresalc në Gjilan, i akuzuari L.U, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, F.A, duke gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe duke e goditur në anën e majtë të kraharorit.

Me këto veprime, L.U akuzohej se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.

Përveç kësaj, sipas aktakuzës, L.U, me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht dëshmitarëve K.H dhe L.M, pastaj edhe dëshmitarit tjetër G.A duke e tërhequr këmbëzën e revoles.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, ai ka kryer edhe veprën penale të ‘kanosjes’.

Këto veprime, i akuzuari i kishte kryer me armën për të cilën nuk kishte autorizim dhe ishte në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, me ç’rast, akuzohet edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

E i njëjti prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, po del se ka vepruar njëjtë edhe në rastin e vrasjes së 29-vjeçarit, Agonis Tetaj, nga Deçani i cili u vra në vitin 2018 në vendin e tij të punës.

Prokurori nga Gjilani mori në dorë rastin e Prokurorisë Themelore të Pejës, për vrasjen e Tetajt, pas përjashtimit nga përfaqësimi i këtij rasti të prokurores së Krimeve të Rënda në Pejë, Sahide Gashi.

Kjo e fundit insiston dhe është e bindur se i akuzuari, Shaban Gogaj, i cili është djali i pronarit të biznesit ku punonte Tetaj, ka kryer vrasje të rëndë në momentin që privoi nga jeta punëtorin, Agonis Tetaj.

Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë që ndodhi në mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018, ku 29-vjeçari Agonis Teta dyshohet se u qëllua për vdekje nga 21-vjeçari Shaban Gogaj. Ngjarja kishte ndodhur menjëherë pasi ky i fundit kishte marrë një telefonatë nga një person me inicialet N.M, ku sipas Prokurorisë, kjo telefonatë e acaroi atë.

Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj dyshohet se e ka shkrepur plumbin, Agonis Tetaj ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij. Kjo tregohet edhe në pamjet me video të momentit të vrasjes, të cilat i ka nxjerrë në publik babai i viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat