A do të ketë masa të reja dhe rritje të rasteve në dy javë të fundit, ky është versioni i Tolajt

Aktuale

A do të ketë masa të reja dhe rritje të rasteve në dy javë të fundit, ky është versioni i Tolajt

Më: 19 mars 2021 Në ora: 11:33
Ilir Tolaj

Kosova tashmë ka bërë një vit përballje me virusin e njohur si Covid-19. Që nga marsi i vitit të kaluar e deri më tani kanë vdekur 1 mijë e 736 qytetarë të Kosovës, ndërsa aktualisht në vend janë 11 mijë e 736 raste aktive.

Sipas të dhënave ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), janë 79 mijë e 793 qytetarë të cilët kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Këto shifra të larta në krahasim me popullsinë e Kosovës vazhdojnë të jenë shqetësuese, sikurse është edhe  mos sigurimi i vaksinës kundër këtij virusi.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër koronavirusit.

Ministri i shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, kishte deklaruar se vaksina do të arrijë në fund të shkurtit, por një gjë e tillë nuk është realizuar.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti në takimin e mbajtur javën e kaluar  me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatë epidemiologjike lidhur me Covid-19, ka thënë se për disa javë pritet arritja e vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, në mënyrë që të fillojë vaksinimi masiv.

Por, ndryshe mendon infektologu Ilir Tolaj, i cili thotë se tashmë Qeveria nuk është e interesuar të bëjë asgjë për masa anti covid-19.

Duke folur rreth mundësisë së rritjes së rasteve me koronavirus në dy javë të fundit dhe masave që duhet t’i ndërmarrë Qeveria për këtë, infektologu Tolaj shprehet se numri do të vazhdojë të jetë i shifrës së përafërt siç është ditëve të fundit.

Sipas tij, Qeveria nuk është e interesuar për masa tjera, pasi që sipas tij, edhe këto masa aktuale nuk është i mbikëqyrë.

“Sipas trendit të deri tashëm, duket se do të ruhet edhe për një kohë njëshifër e përafërt me këto të ditëve të fundit. Qeveria si duket nuk është e interesuar të bëjë asgjë. Madje as masat që deri tash kanë qenë në fuqi nuk është duke i mbikëqyrur. Kështu që tash si duket nuk kemi fare masa anti covid. Atë që duhet bërë është që masat e deritashme të mbikëqyren në mënyrë më të përpiktë, për të parandaluar grumbullimet e njerëzve  në vende të mbyllura në numër të madh e për kohë të gjatë”, thotë Tolaj.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Por, vaksinën AstraZeneca shumë shtete e kanë pezulluar pas raportimit të ngjarjeve të mpiksjes së gjakut te të rriturit në Norvegji.

I pyetur a duhet që edhe Kosova të bëjë një gjë të tillë dhe rreth efekteve anësore të kësaj vaksine, infektologu Tolaj thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

Sipas tij, efektet anësore të vaskinës Astra Zeneca janë të paarsyeshme.

“Tashmë edhe  Agjensioni Medicinal i Evropes – EMA tregoi se frika nga efektet anësore të vaksinës  Astra Zeneca janë të paarsyeshme dhe se rreziku për çfarëdo efekti të padëshiruar është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me përfitimin nga të vaksinuarit me këtë vaksinë.  Për këtë arsye nuk ka vend për shqetësim lidhur me përdorimin e kësaj vaksine”, përfundon Tolaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat