Qeveria mund të formohet në të njëjtën ditë me Kuvendin, u.d i presidentit legjitim ta dekretojë Kurtin si kryeministër

Aktuale

Qeveria mund të formohet në të njëjtën ditë me Kuvendin, u.d i presidentit legjitim ta dekretojë Kurtin si kryeministër

Më: 19 mars 2021 Në ora: 16:20
Kuvendi i Kosovës

Qeveria mund të formohet në të njëjtën ditë me Kuvendin, u.d i presidentit legjitim ta dekretojë Kurtin si kryeministër
Qeveria Kurti mund të formohet në të njëjtën ditë kur konstituohet legjislatura e tetë e Kuvendin e Kosovës. Më 22 mars, kryetari i Kuvendit, i cili njëkohësisht bëhet edhe ushtrues detyre i presidentit ka kompetenca të plota ta dekretojë si mandatar për kryeministër, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas Albert Krasniqit nga “Demokracia Plus”, të zgjedhurit e popullit nuk kanë ndonjë rregull kushtetues ose juridik që ia përcakton ta zgjedhin presidentin, para ekzekutivit.

Krasniqi për KosovaPress thotë se kuorumi për zgjedhjen e presidentit bëhet vetëm në kutitë e votimit. Derisa shpreh mëdyshje rreth arritjes së konsensusit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente.

Krasniqi: Nuk ka një rregull se cila duhet të ishte e para, qeveria apo presidenti

“Janë dy çështje të ndryshme, janë obligime të ndryshme të institucioneve për t’i propozuar emrat për qeverinë dhe për presidentin. Nuk ka një rregull se cila duhet të ishte e para, qeveria apo presidenti. Kjo është në dorën e këtyre institucioneve të vendosin. Mbarë e mirë do të ishte të zgjedhet fillimisht presidenti, për shkak se do jepte një legjitimitet qeverisë për ta propozuar dhe dekretuar kryeministrin e ri. Po ashtu do të kishte një shprehje të vullnetin se nuk po ka tendenca për tu bllokuar çështja e zgjedhjes së presidentin...Menjëherë pas konstiutimi ne të Kuvendin është e hapur nga ai moment mund të zgjedhet qeveria kurdo që ata konsiderojnë se duhet të thirret seanca plenare dhe të votohet për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar”, thotë ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë dhe kufizim që ushtruesi i ri i detyrës së presidentit ta bëjë dekretimin e kandidatit për kryeministër.

Krasniqi: S’ka asnjë pengesë që ushtruesi i detyrës presidentit të bëjë dekretimin e kandidatëve për kryeministër

“Nuk ka asnjë pengesë që ushtruesi i detyrës (presidentit) të bëjë dekretimin e kandidatëve për kryeministër, është obligim i tyre kushtetues. Ka ndodhur edhe në të kaluarën, Jakup Krasniqi si ushtrues detyre ka dekretuar zotëri Thaçi kandidat për kryeministër. Kjo nuk paraqet ndonjë kompetencë ligjore për kompetencat e ushtruesit të detyrës dhe nuk ka kufizime”, deklaron ai.

Lidhur me procedurat e votimit të presidentit, Krasniqi bënë të ditur se është kriter kushtetues që të konsumohen dy raundet e para, e më pas të kalohet tek raundi i tretë që nevojitet edhe shumica e thjeshtë prej 61 votave për ta zgjedhur të parin e shtetit.

Krasniqi: Këto janë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

“Për të nisur procedurat dhe për të qenë efektive raundet për presidentin, në raundin e parë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, as sa është e pragu i nevojshëm për të zgjedhur presidentin dhe të votojë të paktën 80 sosh. Nëse votojnë për, atëherë presidenti zgjedhet në raundin e parë. Nëse nuk zgjedhet, atëherë kalojmë në raundin e dytë, ku prapë kërkohet njëjtë 80 vota të deputetëve të cilët duhet të jenë të pranishëm dhe duhet të votojnë. E nëse asnjëherë nuk merr votat e nevojshme kalohet në raundin e tretë të votimit ku shkohet me dy kandidatët që kanë marrë numrin më të lartë të votave në raundin paraprak. Aty bie edhe kriteri i kuorumit ku është me të paktën 61 deputetë të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë të paktën 61 pro një kandidati për president. Nëse edhe në atë raund nuk i merr asnjë kandidat votat e nevojshme shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhjet e parakohshme...ky është kriter kushtetues, pa i pasur në dy raundet e para të paktën 80 deputetë të pranishëm që votojnë nuk mundet të konsumohet këto raunde për të kaluar në raundet pasuese”, thotë ai.

Krahas këtyre, Krasniqi thotë se fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë targetuar më shumë votat e deputetëve të LDK-së për ta zgjedhur Vjosa Osmanin si presidente.

Siç thotë ai, shihet të ketë një hatër mbetje të LDK-së karshi Osmanit, por lideri i ri dhe gjenerata e re mund mos ta kenë të lehtë qëndrimin edhe në sallë për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit.

Krasniqi: Ka një hatër mbetje të LDK-së ndaj Vjosa Osmanit

“Kanë një hatër mbetje karshi qasjes së zonjës Osmani ndaj LDK-së, por janë gjenerata e re e politikanëve mund ta kenë më të lehtë të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë. Për shkak se ata thanë se janë të interesuar të mos bllokojnë institucionet e reja dhe është interes i tyre t’i shmangin zgjedhjet. Ne vazhdimisht po e bëjmë presionin drejtë partive tjera, por ky duhet të shkojë edhe në raport të LVV që të jetë më fleksibilitet në këtë drejtim dhe të shoh kërkesat, ndoshta edhe të arsyeshme të opozitës lidhur me emrin e kandidatit për president”, thotë ai.

Të hënën është paraparë seanca e konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, derisa nuk dihet a do të hynë në rend dite edhe formimi i Qeverisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat