Baraliu shpjegon procesin se si do të votohet për presidentin, përmend një defekt kushtetues

Aktuale

Baraliu shpjegon procesin se si do të votohet për presidentin, përmend një defekt kushtetues

Më: 19 mars 2021 Në ora: 23:17
Mazllum Baraliu

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të votojnë dhe nuk do t’ia bëjnë kourumin pretendentes për presidente të Kosovës e cila garoi në zgjedhje në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmanit.

Kjo do të thotë se në ditën e votimit për postin e presidentit në sallë do të jenë automatikisht 27 deputetë më pak.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka qëndrim të qartë lidhur me votën e tyre pro ose kundër Osmanit në ditën e zgjedhjes së presidentit, njëlloj siç nuk është i qartë as qëndrimi i Listës Serbe dhe i disa pakicave brenda Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Osmanin në Kuvendin e Kosovës kanë 58 vota, ndërsa llogaritur edhe 2 vota të deklaruara nga Duda Balje dhe Erxhan Galushi nga komunitetet jo-shumicë në Kuvend, ata kanë aktualisht 60 vota dhe pritet të mos kenë probleme në themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryeministrit të vendit.

Por, cilat janë procedurat Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit? A i kanë mbetur Kurtit dhe Osmanit kompromise politike për ta bërë të mundur zgjedhjen e ish-kandidates së LDK-së për presidente dhe çfarë mund të ndodh në ditën e zgjedhjes së presidentes?

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, shprehet se në raundin e tretë presidenti zgjidhjet me shumicën e thjeshtë.

Por, sipas tij, kourumi në Kuvend është njëra nga qindra defektet Kushtetuese.

“Duhet të jenë të pranishëm, duhet kourumi dhe ky është defekt i kësaj Kushtetute ndër qindra defekte të tjera të kësaj kushtetute, e cila është e ngushtë dhe plot barriera dhe Kushtetuta thotë që kourumi duhet të bëhet, duhet të jetë aty dhe të votojnë dhe së paku duhet të jenë 80 deputetë dhe që së paku në herën e parë ose të dytë nuk zgjidhet me shumicë votash, atëherë në raundin e tretë zgjidhet me shumicën e thjeshtë me 61 deputetë”, thotë Baraliu.

Ai tutje thotë se Kushtetuta e obligon çdo parti opozitare të jetë në Kuvend dhe të bëjnë me çdo kusht pjesë në formimin e institucioneve.

“Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj në një situatë të caktuar, ajo ashtu ka vendosur dhe tani ajo është normë ndajshtuese e Kushtetutës dhe të respektohet sot që në bazë të Kushtetutës e kanë për detyrë të jenë të pranishëm dhe janë përgjegjës për formimin e institucioneve dhe të jenë pro ose kundër, pra Kushtetuta e obligon çdo parti opozitare të bëjnë me çdo kusht formimin e institucioneve dhe duhet të jenë aty. Ajo që thuhet se mandati i deputetit është vetanak dhe i pavarur. Nuk do të duhej të ndikohej në mandatin e deputetëve. Subjektet politike pa marrë parasysh nuk kanë të drejtë të ndikojnë tek deputetët dhe është me rëndësi për deputetët që të mos e humbin mandatin dhe gjithashtu për qytetarët që ua kanë dhënë votën që të stabilizohet shteti lidhur me këtë.”, thotë Baraliu.

Sipas tij, do të ishte e rrugës që çështja e presidentit të zgjidhet së paku një muaj pa i kaluar mandati presidentit ,i cili është aktual dhe gjithashtu shprehet se kriteret për t’u bërë president janë tejet liberale.

“E para është rastësi kjo për shkaqe politike që kemi këso situata për shkak të stabilitetit politik, sepse çdo 1 vit ose 2 vite kemi zgjedhje, zgjedhjet për parlament duhet të mbahen çdo 4 vite, dhe presidenti zgjedhet çdo 5 vite. Kësaj radhe ka ndodhur të përputhen në kohë dhe është tashmë çështje, përndryshe nuk do të ishte. Procedurat për zgjedhjen e presidentit fillojnë pasi të konstituohet Kuvendi ku partia ose koalicioni më i madh, deputetët ose qytetarët mund të marrin iniciativë të japin propozimin për president, kriteret janë shumë liberale dhe do të duhej presidenti të zgjidhet një muaj përpara nga kalimi i mandatit të presidentit, do të thotë faktikisht do të duhej një muaj përpara do të thotë me 5 prill të kryhen procedurat sa i përket presidentit”, tha Baraliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat