Mediet kroate e krahasojnë Ferdonije Qerkezin me heroinën nga Kroacia

Aktuale

Mediet kroate e krahasojnë Ferdonije Qerkezin me heroinën nga Kroacia

Më: 19 mars 2021 Në ora: 23:47
Ferdonije Qerkezi, heroina e luftës së Kosovës nga qyteti i Gjakovës

“Unë ëndërroj burrin dhe fëmijët e mi çdo ditë. Në ëndrrat e mia, shtëpia ime është plot lumturi dhe gëzim. Do të doja të bija në gjumë, të isha në atë lumturi dhe të mos zgjohesha në këtë heshtje dhe zbrazëti”.

Kështu fillon rrëfimin mediumi kroat me qendër në Zagreb ‘Vecernji’, të marrë nga Ferdonije Qerkezi, heroina e luftës së Kosovës nga qyteti i Gjakovës, e cila humbi burrin dhe katër djemtë e saj nga forcat serbe, më 1999’ën.

Siç thuhet në artikullin e mediumit kroat, “kosovarët e quajnë Ferdonije Qerkezin gjyshja Kata e Kosovës, duke e krahasuar atë me gjyshen Kata Ćoljić, e cila është simbol i vuajtjes dhe guximit të një nëneje kroate. Ajo humbi katër djem në Luftën e Atdheut”.

Kata Ćoljić jetoi 85 vjeç. Ajo vdiq në vitin 2008 me katër plagë të mëdha në zemrën e saj. Ćoljić kishte humbur katër fëmijët e saj në luftën e vitit 1991, të zhvilluar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

“Jam i lumtur kur dëgjoj se trupa të rinj ende po gjenden. Por ai gëzim është i përzier me ndjenjën e trishtimit, sepse unë dua që të paktën një pjesë e trupave të bijve të varroset në vendin e lindjes. Zemra e nënës nuk mund të qetësohet kurrë, por të paktën do ta dija që ata janë këtu, në Gjakovë – thotë Ferdonije mes lotësh, duke thënë se lotët e saj po rrjedhin qe 22 vjet dhe nuk janë tharë kurrë.

“Më 27 mars të 1999’ës, oficerët e policisë serbe më erdhën në shtëpi. Unë madje di edhe emrat e disa prej tyre. Ata u larguan dhe u kthyen disa herë. Përfundimisht, ata morën burrin dhe katër djemtë e tyre, si dhe mysafirët që ishin me ne në atë kohë dhe gjetën strehë. Gjëja më e vështirë për mua ishte kur morën më të voglin, Edmondin. Ai ishte 14 vjeç. Shikova në sytë e tij të mbushur me frikë dhe kërkova ndihmë. Unë, për fat të keq, nuk mund të bëja asgjë. Unë besoja se do t’i trembte pak dhe do t’i kthente. Por ata nuk u kthyen më. Nuk e kisha idenë se ishte takimi im i fundit me ta. Për pesë vjet e gjysmë nuk dija asgjë për fatin e katër djemve dhe burrit tim dhe shpresoja që të paktën djali i vogël të kthehej i gjallë. E gjithë shpresa ime u shua më 2005’ën kur trupat e djalit të madh Artan dhe Edmondit mu kthyen. Emrat e Halimit, Armendit dhe Ardianit janë ende në listën e më shumë se 1,650 emrave të banorëve të Kosovës, të cilët ende janë të listuar si të zhdukur”, deklaroi ajo tutje për mediumin kroat.

“Ditët e mia janë të ngadalta. Mundohem të kthehem në vitet kur jetoja me burrin dhe fëmijët e mi. Mundohem të jetoj sikur edhe ata të jenë me mua sepse trishtimi dhe dhimbja që mbart do të më kishin vrarë shumë kohë më parë. Zoti nuk i dha askujt një mundim dhe jetë të tillë”, shtoi tutje ajo, e cila u solidarizua me çdo nënë që humbi bijtë e saj në atë luftë.

“Unë nuk e urrej askënd, sepse urrejtja është sëmundja më e madhe që të vret me kalimin e kohës, dhe nuk mund t’i rikthejë më të dashurit e tu”, përfundon Qerkezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat