​Kosova nuk po siguron vaksinën, punonjësit shëndetësorë nga Kosova vaksinohen në Shqipëri

Aktuale

​Kosova nuk po siguron vaksinën, punonjësit shëndetësorë nga Kosova vaksinohen në Shqipëri

Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:17
Pamje nga vaksinimi

Në ambientet e pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina", në Kukës, njësia e shëndetësisë së Shqipërisë qysh nga mëngjesi kishte nisur përgatitjet e ambientit. Tre autobusë me personel shëndetësorë nga Kosova filluan vaksinimin me doza anti-COVID, për të vazhduar më tej me të tjerët nesër. Të njëjtit patën kritika për udhëheqësit kosovarë, të cilët përgjatë këtyre muajve nuk arritën të paktën një vaksinë të sigurojnë.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani e ka quajtur sukses, mundësinë që 500 punonjës shëndetësorë të vaksinohen në Qendrën e Vaksinimit në Kukës. Ai thotë se Kukësi është qendër administrative, e cila bashkon të dy vendet.

Hasani: Të gjithë mjekët do të vaksinohen me premtimin e kryeministrit

"Pas gjithë përpjekjeve disa javëshe në këtë drejtim. Sot kemi arritur, jemi në Kukës së bashku me rreth 250 mjekë që do vaksinohen. Nesër pritet grupi tjetër. Atë që mund të themi është një premtim i radhës i kryeministrit që gjithë mjekët e Kosovës që janë duhet të vaksinohen. Ne në Kosovë kemi rreth 11 mijë mjekë me gjithë stafin e administratës, janë rreth 16 mijë. Të gjithë ata do të vaksinohen me premtimin e kryeministrit. Unë besoj se do të realizohet sepse edhe premtimet tjera sot po realizohen", thotë ai.

Agron Haxhiu, 64 vjeçar, punon në Spitalin Rajonal të Gjakovës pas vaksinimit kundër COVID-19, thotë se nuk ka hezituar për marrjen e kësaj vaksine. Për më tepër ai ka kritika për Qeverinë e Kosovës.

Haxhiu: Telashet e qeverisë dihet cilat janë

"Mirë, telashe nuk ka, procesi ka shkuar mirë. Edhe një herë duke iu falënderuar shtetit mëmë... Telashet e qeverisë dihet cilat janë, nuk kanë mundur të sigurojnë vaksinat akoma, kështu edhe një herë e falënderojë qeverinë shqiptare", thotë ai.

E Gjyle Elshani e cila shërben në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, thotë se tani më ndjehet më e sigurt edhe në rast se do të infektohet me koronavirus.

Elshani: Qeveria të ngutet pak me sigurimin e vaksinës

"Mirë na kanë prit, mirë po ndjehem. Vaksinë e rëndomtë si krejt vaksinat tjera... Do të ishte mirë me marrë krejt, unë tash ndjehem pak më e sigurt. Edhe me më ra gripi nuk kam me pas simptome të rënda dhe probleme të mëdha... Të nguten pak të sigurojnë vaksinat për popullatën, kishte me qenë mirë", deklaron Elshani.

Thirrje të njëjtë ka edhe Majk Frokaj, i cili tash e saj vjet shërben si laborant në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë. Ai thotë se tash e sa kohë janë në vijën e parë të frontit, por që udhëheqësit e vendit nuk ua kanë "shpërblyer" punën.

Frokaj: Kjo nuk don koment shumë

"Sot kam nderin të vijë të marrë vaksinën nga Gjakova në Kukës. E falënderojmë qeverinë shqiptare për t'u vaksinuar... Veç dihet qeveria sa ka bërë për ne që jemi bë vijën e frontit në punë të përditshme, kjo nuk donë koment më shumë", thotë ai.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me vaksinimin e 250 punonjësve të tjerë. Këto vaksina janë donacion nga Shqipëria.

Ndryshe, Kosova përkundër premtimeve, nuk ka arritur ende të sigurojë vaksinat anti-COVID. Dje ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se furnizimi është proces i vështirë. Për më tepër ka theksuar se në bazë të komunikimeve me aleancën COVAX, iu është thënë se prodhimi për Kosovën do të fillojë gjatë muajit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat