Të gjitha pozitat që i humbi Agim Veliu brenda 24 muajve

Aktuale

Të gjitha pozitat që i humbi Agim Veliu brenda 24 muajve

Më: 20 mars 2021 Në ora: 20:33
Agim Veliu

Me mbajtjen e mbledhjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur Kryesinë e re të partisë që tashmë po drejtohet nga Lumir Abdixhiku, Agim Veliu sot e humbi edhe një pozitë drejtuese.

Ai nuk arriti të rizgjidhet nënkryetar i partisë më të vjetër në vend.

Për këtë pozitë u zgjodhën Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni, Shqipe Mjekiqi, por jo edhe Agim Veliu si një ndër themeluesit e LDK-së.

Mirëpo kjo nuk është e vetmja pozitë e rëndësishme e humbur e tij. Brenda një periudhe të shkurtër, ai humbi edhe dy pozita tjera drejtuese në nivel lokal dhe qendror.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, por nuk siguroi mjaftueshëm vota për ta formuar e vetme Qeverinë, andaj pas katër muajsh bisedime, bëri koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën ishin pajtuar që Veliu të bëhet ministër i Punëve të Brendshme.

Koalicioni u konfirmua nga dy krerët e partive përmes një konference të përbashkët për media dhe pas katër ditësh, Agim Veliu dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës [bastion ky i LDK-së për 20 vjet rresht] për t’u bërë kujdestar i sundimit të ligjit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës.

Mirëpo ky rrugëtim nuk i zgjati shumë sepse u shkarkua pas 44 ditësh nga kryeministri i atëhershëm Albin Kurti, për shkak të një deklarate që kishte dhënë në televizion, që sipas Kurtit ishte “kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Komuna e Podujevës e cila kishte mbetur me ushtrues të detyrës së kryetarit, Nexhmi Rudari, u desh të shkojë në zgjedhje për ta zgjedhur kryetarin e ri. Ishte befasi kur u mësua se VV me Shpejtim Bulliqin kandidat, kishte fituar zgjedhjet në këtë komunë.

Nga disa njohës të zhvillimeve politike në vend, kjo u cilësua si humbje e rëndë e Veliut i cili e kishte drejtuar këtë komunë që nga viti 2014.

“I kemi humbur këto zgjedhje, ky është vendim i sovranit dhe do t’i presim rezultatet përfundimtare”, kishte thënë Veliu.

Tani me caktimin e Kryesisë së re të LDK-së, ku ai nuk arriti të rizgjidhet nënkryetar i këtij subjekti politik, i bie që Veliu ka humbur tri pozita të rëndësishme drejtuese brenda pesë stinëve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat