Dardan Molliqaj nuk ndalet, tregon se çfarë pushteti u votua sot

Aktuale

Dardan Molliqaj nuk ndalet, tregon se çfarë pushteti u votua sot

Nga: D.RR Më: 22 mars 2021 Në ora: 22:26
Dardan Molliqaj

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka shkruar për të dytën herë brenda pak orëve kundër qeverisë së re, Kurti.

Ai thotë se sot u votua për reforma por jo transformim dhe për pushtet të individit.

Molliqaj sheh diçka pozitive, ku thotë se u votua fillimi i fundit të këtij pushteti populist, i cili nuk do të bie nga kritikat e një opozite ”konstruktive”.

Postimi i plotë:

Çfarë pushteti u votua sot?

Sot u votua për reforma por jo transformim. Partia që u ngrit duke premtuar transformim të gjendjes në vend, sot u votua për ta reformar (lexo: mirëmbajtur) gjendjen ekzistuese në Kosovë

Sot u votua për pushtet që zhvillimin ekonomik e sheh përmes ideologjisë liberale. Tatimet progresive u harruan. Tatimet në dividendë as që u folën. Kjo i bie: më shumë pasuri për Oligarkët e përshkallëzim të varfërisë për të varfërit.

Sot u votua për pushtet që gratë i sheh nga një perspektivë patriarkale. Ndonëse formalisht na folën për barazi gjinore dhe emruan disa gra në poste ministrore, Qeveria që sapo u votua do të ndajë paga për gratë që lindin. Kjo i bie: ju kryeni punët e shtëpisë e kujdesuni për fëmijët, shteti ju paguan.

Sot u votua për pushtet që problemet në shëndetësi tenton t’i zgjidhë përmes emrave të përveçëm. Thuajse paska qenë faji i ministrave pse e kemi këtë gjendje. Injorohet fakti që Kosova është shteti me investimet më të ulëta në sistemin e shëndetësisë. Kjo i bie: shkarkime e emrime të drejtorëve të spitaleve, aty-këtu ndonjë renovim të objekteve, por mungesë të shërbimeve esenciale për pacientët.

Sot u votua për pushtet të individit. Të individit me mendësi autoritare. U votua për centralizim absolut të pushtetit tek lideri suprem.

Por sot u votua edhe diçka pozitive. U votua fillimi i fundit të këtij pushteti populist, i cili nuk do të bie nga kritikat e një opozite ”konstruktive”. Ky pushtet do të zhbëhet nga angazhimi i një opozite aktive qytetare që refuzon t’i nënshtrohet hegjemonisë së Kurtit. E kjo është e vetmja opozitë që ka kohë që ky pushtet nuk po e duron, pavarësisht fuqisë së numrave. E ky zë opozitar, lëre më që s’do të ndalet, por do të intensifikohet e rritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat