Të gjitha zotimet e Kryeministrit Kurti

Aktuale

Të gjitha zotimet e Kryeministrit Kurti

Më: 22 mars 2021 Në ora: 23:39
Qeveria Kurti

Albin Kurti është rikthyer në postin e kryeministrit gati një vit pasi u rrëzua nga Kuvendi i Kosovës me mocion të mosbesimit. E në fjalimin e tij të gjatë ku shpalosi idetë dhe planet qeverisëse, Kurti foli për shumë çështje.

I pari i Qeverisë tregoi se çfarë do të bëj me shëndetësinë dhe pandeminë e coronavirusit, drejtësinë, arsimin e dialogun.

Kryefjala e ekspozesë së Kurtit ishin premtimet për reforma të shpejta dhe të mira në drejtësi, shëndetësi, arsim e ekonomi.

Kurti në fjalimin e tij dha një premtim të madh rreth pandemisë. Ai tha se deri në fund të këtij viti do të synojnë vaksinimin e 60% të qytetarëve.

“Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60% të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, tha Kurti në fjalimin e gjatë.

Kurti nuk harroi të përmend edhe çështjen për drejtësi, që ishte një nga temat kryesore të fushatës së tij. Ai tha se do të filloj procesin e vetingut nga aty ku e la vitin e kaluar kur udhëhoqi për 50 ditë qeverinë.

“Procesi i vetingut do të vazhdojë aty ku ka mbetur në pranverën e kaluar. Këtij procesi do t’i nënshtrohen gjykatës, prokurorë, inspektorë dhe drejtues të lartë të policisë dhe inteligjencës. – Do të jetë një proces i mirëpërgatitur, fer, transparent dhe jo hakmarrës”, tha Kurti për çështjen e vetingut në drejtësi.

Ndërkaq për arsim, i pari i Qeverisë tha se do të reformohet duke i rikthyer shkollat në vende ku prodhohen shkencëtar e novator. Por, nuk harroi të përmend edhe çështjen e ndërtimit të çerdheve, shutjet falas për nxënësit deri në klas të pestë e Fondin e Hulumtimeve për universitetet.

“Universitetet do t’i fuqizojmë me Fondin e Hulumtimeve, me më shumë buxhet e më shumë mbështetje dhe do të stimulojmë angazhimin e studentëve nëpërmjet punës praktike në të gjitha institucionet publike në vend.Në këtë mandat do të hapim afër 160 çerdhe të reja dhe do të ofrojmë ushqim falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-tën”, tha Kurti.

E për shëndetësi, Kurti tha se do ta shtojnë buxhetin për këtë sektor secilin vit duke ndërtuar infrastrukturë modern, kushte për punë për mjekët e barna të mjaftueshme për pacientët.

“Neni 51 i Kushtetutës garanton mbrojte sociale dhe shëndetësore, prandaj ne do ta funksionalizojmë sistemin informativ shëndetësor, do të ofrojmë udhëzime shëndetësore dhe licencojmë profesionistët që të themelojmë Fondin për Sigurime Shëndetësore. Në vendin tonë askush nuk duhet të falimentojë vetëm pse sëmuret”, deklaroi Kryeministri i Kosovës.

Kurti foli edhe për më të vegjlit e Kosovës. Ai tha se fëmijët janë e ardhmja e vendit, teksa premtoi pabarazinë ekonomike me skema sociale.

“Shpejt do të fillojmë me skemën e ndarjes së shtesave për fëmijë dhe nëna lehona. – Për fëmijët deri në 2 vjeç do të ndahen nga 20 euro në muaj kurse për fëmijët nga 2 deri 16 vjeç do të ndahen nga 10 euro në muaj. – Nëse një familje fiton më pak se 7,000 euro në vit do të marrë 50 euro për fëmijë, nëse fiton më pak se 6,000 euro në vit do t’i ndahen 100 euro dhe nëse fiton më pak se 5,000 do t’i ndahen 150 euro për fëmijë”, shtoi Kurti.

Kurti premtoi edhe pagë për lehonat që janë të papuna kur lindin.

“Për nënat e papuna dhe lehona do të ndajmë pagën minimale në vlerë prej 250 euro në gjashtë muajt e parë të lindjes”, premtoi Kurti.

Tutje, lideri i Vetëvendosjes tha se do të zhvillojnë ekonominë dhe si Qeveri do të kujdesen për punëtorët, teksa tha se do të synoj një ekonomik që del nga pandemia.

Kurti pati zotime edhe për gratë duke thënë se fuqizimi i grave është parakusht për zhvillim të ekonomisë.

“Qeveria jonë do të përkrahë pa kursyer gratë, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të saj në ndërmarrësi. Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin edhe të ekonomisë”, u zotua Kurti në fjalimin e tij.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për bujqësinë, të cilën e quajti sektor e quajti çështje të sigurisë kombëtare dhe premtoi futjen e çmimeve referente për një mori produktesh bazike bujqësore.

“Prandaj bujqësia dhe prodhimet bujqësore janë përveçse prioritet, edhe çështje e sigurisë kombëtare.- Tokat tona bujqësore do të mbrohen ashtu siç do të mbrohen dhe ndihmohen bujqit prodhues. Do të fillojmë me futjen e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin e qumështin, duke garantuar kështu stabilitet në treg”, deklaroi Kurti.

Ndërsa artisët e sportistët i quajti bekim për vendin duke premtuar se Teatri Kombëtar e ato të qyteteve do të kenë financim të garantuar e të rregullt.

“Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera dhe do të fillojmë të ideojmë Teatrin e ri Kombëtar”, deklaroi Kurti.

Tutje Kurti premtoi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Por, kryeministri nuk harroi as Policinë e Kosovës, institucion të cilin tha se do ta reformojë e policiëve do t’u garantohet pensionimi i parakohshëm në moshën 55 vjeçare.

“Forcimi i integritetit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës do të jetë ndër objektivat tona kryesore. Nivelet e larta drejtuese të policisë do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, i cili do të zbatohet në të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend”, tha Kurti.

Ndërkaq në politikën e jashtme, Kurti tha se do ta paditë Serbinë për gjenocidin në Kosovë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë..

Tutje, kryeministri premtoi edhe themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve gjatë luftës, ndonëse një institut i tillë vetëm se është themeluar kohë më parë, por që nuk dihet nëse ende është aktiv. Udhëheqës i këtij instituti për disa vite ishte tani i ndjeri Zejnullah Gruda, profesor i së drejtës ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti tha se do t’i rritë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës duke theksuar se do të përgatitë FSK-në për ta bërë anëtare të Kartës së Adriatikut.

“Do të ketë thellim dhe rritje të bashkëpunimit bilateral me partnerët strategjik në krijimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota ushtarake, sidomos me Shqipërinë dhe ShBA-të dhe do të përgatitemi për ta bërë Kosovën anëtare të Kartës së Adriatikut”, tha Kurti.

Për çështjen e dialogut me Serbinë, të cilin nuk e sheh si prioritet të madh, Kurti tha se kryetema e tij do jetë zgjidhja e fatit të personave të zhdukur.

“Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë”, tha Kurti.

Në politikën e jashtme Kurti tha se do ta shtyjë idenë e mini-Marshallit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse Kurti foli për anëtarësimin në BE, ai nuk e përmendi edhe çështjen e anëtarësimit në UNESCO e OKB.

“Që integrimi dhe demokratizimi te shpejtohet do të insistojmë për një plan Mini-Marshall nga BE për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kurti.

Kurti foli edhe rreth planit të Ahtisarit, të cilin e kishte kritikuar e kundërshtuar gjatë sa ishte në opozitë. Në ekspozenë e tij, Kurti tha se nuk ka ndonjë kompromis tjetër përtëj këtij plani.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë”, tha Kurti.

Në fund, kryeministri Kurti tha se Serbia duhet ta shpallë pavarësinë nga Kosova ashtu siç ka bërë kjo e fundit nga Serbia.

“Ne e kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia, më 2 korrik 1990 dhe më 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia ta shpallë pavarësinë e saj nga Kosova, e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO, në BE dhe në NATO”, tha Kurti.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosjes është zgjedhur sot kryeministër i Kosovës me 67 vota pro e 30 kundër të deputetëve të Kuvendit.

Votimi i tij u prit me duartrokitje nga deputetët e VV-së, parti e cila e nominoi për kryeministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat