​Zemaj ia dorëzon detyrën Vitisë: Puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet

Aktuale

​Zemaj ia dorëzon detyrën Vitisë: Puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet

Më: 23 mars 2021 Në ora: 11:52
Arben Vitia dhe Armend Zemaj

Armend Zemaj zyrtarisht ia ka dorëzuar detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

Zemaj derisa ka njoftuar se i ka dorëzuar detyrën Vitisë ka shkruar edhe se nuk do të ndalet se angazhuari e përkushtuari për të kontribuar në të mirën e shëndetësisë.

Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë në këtë kohë pandemie është sfida më e madhe për çdo drejtues të saj. Ai ka përmendur edhe punët që bëri gjatë mandatit të tij.

“Me ndjenjën e përgjegjësisë më të lartë, dorëzova pozitën e Ministrit të Shëndetësisë te Ministri i ri z. Arben Vitia, mirëpo kjo nuk nënkupton që do të ndalem së angazhuari e përkushtuari për të kontribuar në të mirën e kësaj fushe dhe të mirën e shëndetit të qytetarëve tanë. Ministria e Shëndetësisë në këtë kohë pandemie është sfida më e madhe për çdo drejtues të saj, dëshmi të saj e kemi edhe punën tonë të jashtëzakonshme e të matshme, e cila është gjurmë orientuese dhe përcaktuese për të bërë më të mirën për shëndetësinë. Puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet. Pandemia ishte fokusi ynë”, ka shkruar Zemaj.

Tutje Zemaj ka shkruar se “Të arriturat e shëndetësisë tonë janë të prekshme në çdo nivel të përkujdesjes. Përkundër pandemisë, kemi ngritur shërbimet e reja të përkujdesjes shëndetësore, është ngritur cilësia dhe sasia e shërbimeve shëndetësore, për çka jam krenar sikur me shumë angazhime tjera. Kemi bërë rritjen e testeve nga 150 në mbi 5.000 teste ditore, duke vazhduar njëkohësisht me furnizimin e institucioneve tona shëndetësore me pajisje, barna e material shpenzues, si dhe kemi krijuar ambiente dhe kushte për profesionistët shëndetësorë të cilat kanë munguar më herët. Gjatë kësaj kohe, sistemi shëndetësor është fuqizuar me 1.500 specializantë, janë punësuar mbi 160 specialistë të mjekësisë të papunë ndërvite dhe rreth 700 anëtar të stafit profesional, teknik shëndetësor. Kjo është një e arritur e veçantë dhe si e tillë do të mbetet përherë, ngaqë ajo fakton më së miri qasjen tonë përballë - Njerëzve të Shëndetësisë. Kemi thelluar bashkëpunimin me institucionet tjera vendore e ndërkombëtare, me donatorët në veçanti, ndaj të cilëve jemi falënderues përgjithmonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat