Sherifi kërkon riorganizim dhe ristrukturim të Nismës, kërkon përgjegjësi për rezultatin e dobët zgjedhor

Aktuale

Sherifi kërkon riorganizim dhe ristrukturim të Nismës, kërkon përgjegjësi për rezultatin e dobët zgjedhor

Më: 24 mars 2021 Në ora: 12:40
Bilall Sherifi

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate ka shkruar për rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e fundit, që e la jashtë parlamentit.

Sherifi ka shkruar se duhet të bëhet analizë e të gjithë faktorëve që ndikuan në këtë rezultat dhe të rishikohet puna e Nismës.

“Sa i përket rishikimit të punës sonë, mendoj se nuk duhet të kufizohemi vetëm në zgjedhjet e fundit, por analiza jonë duhet të shtrihet edhe në periudhën paraprake 2017-2019, si dhe disa muaj në vitin 2020, kur NISMA Socialdemokrate ishte pjesë e institucioneve qeverisëse. Analiza objektive e veprimtarisë sonë të përgjithshme do të na mundësojë të rishikojmë edhe veprimtarinë tonë individuale dhe përgjegjësinë e çdonjërit prej nesh”, ka shkruar Sherifi.

Vetëm kështu sipas tij, do të mund të arriheshin reforma.

Ai ka thënë se është i gatshëm të japë përgjegjësi dhe këtë sipas tij duhet ta bëjnë edhe bartësit e tjerë të funksioneve në parti.

Sipas Sherifit duhet një riorganizim dhe ristrukturim i Nismës.

“Prandaj le të shfrytëzojmë procesin e brendshëm zgjedhor për të riorganizuar dhe ristrukturar partinë nga nëndegët, degët dhe deri te organet drejtuese qendrore. Përmes procesit zgjedhor duhet t’u mundësohet përfshirja aktive të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë të përgatitur dhe të gatshëm ta zhvillojnë dhe ta rrisin NISMËN Socialdemokrate!”, ka shkruar tutje ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat