Haradinaj i reagon Vuçiqit

Aktuale

Haradinaj i reagon Vuçiqit

Më: 24 mars 2021 Në ora: 14:37
Ramush Haradinaj

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit në luftën e fundit në Kosovë, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka zgjedhur që në 23-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit t'i dërgojë një mesazh presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq duke thënë se askush nuk duhet të guxojë të nëpërkëmbë Kosovën.

Pas homazheve që bëri në kompleksin memorial në Gllogjan, Haradinaj duke iu kundërpërgjigjur provokimit të presidentit të Serbisë, i cili kishte publikuar një fotografi të hartës së Kosovës me flamur të Serbisë, tha se vetëm populli që jeton në Kosovë është simboli i vendit.

Duke aluduar në bashkimin me Shqipërinë, Haradinaj tha se Kosova do të kthehet aty ku përket në rast të mosanëtarësimit në OKB dhe NATO.

Ai tha se të arriturat më të mëdha që i gëzon Kosova dhe populli i saj janë liria dhe demokracia.

"Atyre që bëjnë harta të Kosovës me simbole të tyre u themi se simbol i kësaj toke është populli që jeton këtu, ai popull që edhe pse e përzunë, u kthyen të gjithë në shtëpitë e veta, në gërmadha dhe e rikthyem jetën në Kosovë. Pra, askush mos të synojë ta nëpërkëmbë Kosovën. Kosova e ka një histori të gjatë qindravjeçare dhe Kosova edhe mijëra vjet do të mbetet e popullit të vet. Ndërsa nëse nuk na bëhet vendi i meritum në familjen e popujve, në familjen e shteteve, në këtë rast në OKB dhe NATO, ne kemi familje, shqiptarë. Ne kemi komb, ne do të kthemi aty ku kemi qenë e do të mbesim, pra shqiptarë", tha ai.

Haradinaj e kujtoi ditën e 24 marsit të vitit 1998, si një ditë shumë të vështirë por të pashmangshme.

"Nuk ka ndryshuar asgjë as sot, nuk do të ndryshojë as në mot, asnjëherë... Pse? Më 24 mars 1998, nuk kishim zgjidhje tjetër pos me u përball me Serbinë. Nuk ishte çështje e dëshirës, por ishte e pa shmangshme. Ajo që ndodhi atë ditë nuk ishte e para, ne e pamë një përballje heroike, legjendare të familjes Jashari, deri në flijim, ne ishim të vetëdijshëm që na pret një fat i vështirë, jetë a vdekje. Në përballje të kësaj dite kanë ra tre dëshmorë, Gazmendi, Agroni dhe Hima. Ishte një ditë lufte jo e lehtë, e cila u mbyll me një epilog në të cilin jemi sot, mbetëm shqiptarë", tha Haradinaj.

Haradinaj kujtoi edhe ndërhyrjen e NATO-s, një vit më vonë, pikërisht më 24 mars të vitit 1999, për çka tha se Kosova i është mirënjohëse përgjithmonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

23-vjetori i Epopesë së Dukagjinit ka mbledhur në Gllogjan politikanë, ish- ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Mëngjesin e sotëm, aty bëri homazhe edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministra të kabinetit të tij qeveritar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat