Albulena Haxhiu i dërgon letër AKK-së, u kërkon këtë gjë

Aktuale

Albulena Haxhiu i dërgon letër AKK-së, u kërkon këtë gjë

Më: 25 mars 2021 Në ora: 17:59
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dërguar një opinion ligjor Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me interpretimin e dispozitave për zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Sipas Haxhiut qëllim parësor i këtij opinioni ligjor është lehtësimi i zbatimit në praktikë të këtij ligji, në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ky ligj është miratuar.

“Siç jeni në dijeni, qëllimi i ligjit është bazuar në praktikat dhe standardet ndërkombëtare në mënyrë që të sigurojë se zyrtarët publik gjatë ushtrimit të funksioneve publike detyrat e tyre i kryejnë në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente. Ushtrimi i funksioneve publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente ka për qëllim edhe promovimin dhe ruajtjen e integritetit personal të zyrtarit dhe të institucionit që përfaqëson”, thuhet në interpretimin e Haxhiut.

Në letër thuhet po ashtu se në funksion të realizimit të qëllimit të Ligjit, specifikisht nenit 13 i këtij Ligji përcakton se:

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”.

Ministrja Haxhiu thekson se zyrtari i lartë, krahas funksionit të tij publik, mund të jetë anëtar i vetëm një organi të cekur më lartë, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.

Ndërsa pjesa e cila i referohet shpërblimit me pagesë, nënkupton se zyrtari i lartë nëse është njëkohësisht anëtar i organeve të cekura më lartë nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

“Qëllimi i kësaj dispozite është që zyrtarit të lartë t’i ndalohet shpërblimi me pagesë, dhe në anën tjetër mundëson vetëm kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të ndërlidhura me udhëtimin”, përfundon interpretimi i ministres së Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat