Vaksina nga COVAX s’pritet të arrijë as gjatë marsit, MSH angazhohet për burime të tjera

Aktuale

Vaksina nga COVAX s’pritet të arrijë as gjatë marsit, MSH angazhohet për burime të tjera

Më: 25 mars 2021 Në ora: 21:04
Ilustrim

Që nga muaji mars i vitit të kaluar, Kosova është në vendet e shumta të botës që po përballet me situatën e krijuar si pasojë e infeksionit nga virusi Sars CoV-2.

Përhapja e këtij virusi shkaktoi numër të madh të viktimave, poashtu shkaktoi edhe dëme të mëdha në shëndetësi e ekonomi në vend.

Bllokimi që ndodhi në gjithë botën nuk la pa prekur edhe shtetin e Kosovës.

Por edhe pse gjatë muajve të fundit shumë prej shteteve të tjera, si të rajonit por edhe më larg arritën të vaksinojnë shumicën e qytetarëve të tyre me vaksinat e llojit të ndryshëm anti-COVID, në Kosovë ende s’është arritur që të vaksinohet asnjë qytetarë.

Madje disa prej mjekëve arritën që gjatë javës së kaluar të marrin dozat e para të vaksinës në Shqipëri, saktësisht në Kukës.

Lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e vaksinës anti-COVID, lajmi ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri është theksuar se vazhdojnë të jenë në pritje të konfirmimit nga  COVAX për datën se kur do të alokohet kontingjenti i parë i këtyre vaksinave.

“Ministria e Shëndetësisë është në pritje të konfirmimit nga COVAX të datës kur do të alokojnë kontigjentin e parë të vaksinave”, u tha në përgjigjen e MSH-së për lajmi.net.

Gjithashtu  u theksua se njëkohësisht angazhimi është edhe në burime të tjera të sigurimit të kësaj vaksine.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pati deklaruar se vaksinat anti-COVID do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk u realizua.

Deklarimet e Zemajt lidhur me vaksinën anti-COVID u panë si të pasakta dhe dëshpëruese nga ana e qytetarëve.

Madje gjatë javës së kaluar Zemaj e bëri sërish një deklarim sa i përket furnizimi me vaksinën anti-COVID nga COVAX.

Zemaj tha se 33 mijë e 600 doza të vaksinës COVAX do të vijnë në Kosovë gjatë muajit mars.

“Gjatë muajit mars vijnë 33 mijë e 600 doza të vaksinave të COVAX-it”, tha Zemaj.

Pavarësisht këtyre deklarimeve të njëpasnjëshme të Zemajt sigurimi i dozave të vaksinës antiCOVID ende janë të diskutueshme në vend.

Çështja e mungesës së vaksinës madje u diskutua dhe sot në kuadër të Parlamentit Evropian. Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, Viola von Cramon-Taubadel, ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të furnizojë Kosovën me vaksinat kundër COVID-19 sa më shpejt që është e mundur.

“Një problem shumë aktual është gjithashtu mungesa e furnizimit me vaksina në Kosovë. Kapacitetet e prodhimit këtu në Bashkim Europian janë aktualisht duke u rritur dhe kjo duhet të dërgojë në një furnizim shumë më të mirë për Kosovën sa më shpejt që është e mundur. BE-ja duhet ta mbështesë vaksinimin e shpejtë të personelit shëndetësor dhe grupeve të tjera më të rrezikuara nga COVID-19”, deklaroi ajo.

Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit në vend janë konfirmuar edhe 836 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 12.934.

Si pasojë e këtij virusi kanë humbur gjithsej 1.813, ndërsa në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk ka as edhe një shtrat të lirë për pacientët të cilët kërkojnë trajtim si pasojë e infektimit me këtë virus.

Ngjashëm është situata thuajse edhe në të gjitha klinikat e tjera ku po bëhet trajtimi i të prekurve me virusin COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat