Analisti e kritikoi projektin, Shpend Ahmeti ka një përgjigje epike

Aktuale

Analisti e kritikoi projektin, Shpend Ahmeti ka një përgjigje epike

Më: 26 mars 2021 Në ora: 15:47
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ditën e djeshme ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) lidhur me realizimin e projektit të restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë. Kjo marrëveshje ka ngjallur reagime në opinion, ndër ta ka qenë edhe filozofi, Blerim Latifi.

Sipas Latifit, komuna e Prishtinës po e kthen në muze të Sulltan Mehmetit II, duke e përshkruar atë si armikun numër 1 të Skënderbeut.

Ahmeti thotë objekti emrin do ta ketë “Hamami i madh”, ashtu siç e ka, ndërsa tregon se ai do të jetë hapësirë publike e hapur për evenimente, konferenca, ligjërata dhe debate. Thotë se edhe profesori Latifi do të mund të mbajë ligjëratat e tij aty.

“Hamami i Madh siç e ka emrin dhe do ta ketë emrin do të jetë hapësirë publike e hapur për evenimente, konferenca, ligjërata dhe debate ku edhe profesori i nderuar Latifi do të mund të mbajë ligjëratat e tij. Komuna nuk shkruan e as nuk ndërron histori. E as që merret me atë punë. Ne kemi detyrë të ofrojmë hapësira, të mbrojmë trashëgiminë kulturore e mbrojmë interesat e qytetit tonë. Politikat e jashtme ja lëmë nivelit qendror dhe ekspertëve si prof. Latifi”, shtoi ai.

Sipas kryetarit të Prishtinës, kjo temë është inekzistente dhe nuk mund të jetë pjesë e debateve të tilla.

“Kjo është temë inekzistente për ne si Komunë. Hamami i Madh është objekt i ndërtuar në shekullin e XV në kohën e perandorisë osmane dhe është objekt i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligj. Në vitin 2014 e kemi shpëtuar nga shkatërrimi dhe qe disa vite punojmë në projektin e restaurimit”, tha ai.

“Prandaj, nuk mund të jemi pjesë e debateve inekzistente për tensione të tilla. Nuk mund të shtrembërohet as qëllimi ynë si komunë. E më së paku historia”, shton ai.

Latifi ka akuzuar Komunën e Prishtinës se asnjëherë nuk pati para për të ngritur një shtatore të Adem Jasharit e as për të bërë një muze të viktimave të gjenocidit serb mbi shqiptarët gjatë shekullit XX.

Shpend Ahmeti tregoi se Komuna e Prishtinës në mandatin e tij ka ndarë lokacionin qendror për shtatoren e Adem Jasharit dhe ka buxhet.

“Komuna e Prishtinës në mandatin tonë ka ndarë lokacionin qendror për shtatoren e Adem Jasharit. Ka edhe buxhet. Është dakorduar edhe me familjen Jashari. Së shpejti del edhe konkursi”, tha Ahmeti.

Komuna e Prishtinës dje njoftoi se Ahmeti dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nënshkruan marrëveshjen për restaurim të hamamit të madh në Prishtinë.

Projekti me të cilën është ilustruar pamja e re e hamamit, kishte një shkrim në gjuhen turke, që në shqip i bie “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”.

Profesori Latifi ka thënë se komuna e Prishtinës po e shndërron në muze të Sulltan Mehmetit II, e ai shfarosi pothuajse gjysmën e shqiptarëve.

“Komuna e Prishtinës kurrë nuk pati pare për t’ia ngritur një shtatore në kryeqytetin e Kosovës Adem Jasharit. Kurrë nuk pati pare për ta ndërtuar një muze të viktimave të gjenocidit serb mbi shqiptarët gjatë shekullit XX. Por, sot, e pamë se Komuna e Prishtinës paska pare që gërmadhën e hamamit osman të Prishtinës me e shndërru në Muze të Sulltan Mehmetit II, armikut numër një të Skënderbeut, sulltanit që për tridhjetë vjet shkretoi tokat e shfarosi pothuajse gjysmën e popullatës shqiptare, gjatë rezistencës antiosmane midis viteve 1451- 1481. Kjo nuk është thjesht turp. Është pshtymje mbi identitetin dhe vuajtjet tona kombëtare”, ka shkruar Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat