​Qytetarët nga Presheva shpresojnë për zhvillim ekonomik dhe njohje të diplomave nga Kosova

Aktuale

​Qytetarët nga Presheva shpresojnë për zhvillim ekonomik dhe njohje të diplomave nga Kosova

Më: 28 mars 2021 Në ora: 17:58
Preshevë

Zhvillim ekonomik, njohje të diplomave nga Kosova e punësim po kërkojnë qytetarët e Luginës së Preshevës. Ata shprehën të pakënaqur me qeverisjet e deritanishme komunale, derisa theksojnë se kanë nevojë për punësim të të rinjve, të cilët nuk po arrijnë të punësohen, meqë nuk u njihen diplomat.

Procesi zgjedhor për votimin e kryetarit të ri dhe 38 këshilltarëve në Kuvendin Komunal po vazhdon në Preshevë. Gastronomia dhe qendrat tregtare tash e më shumë se dy javë janë të mbyllura në këtë komunë. Ndërkohë, që në kushte pandemie po organizohen edhe këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Qani Haliti thotë se ndihet i zhgënjyer me gjendjen në Preshevë. Ai për KosovaPress tregon se sot bashkë me familjarët e tij kanë ardhur për të votuar për ndryshim.

Haliti: Udhëheqësit që kanë qenë s’kanë treguar interesim për popullatën në Preshevë

"Sot e mora familjen komplet me veturë dhe kemi ardhur për të votuar. Pritjet e tona jam të mëdha, deri tash fare nuk jam i kënaqur me disa udhëheqës...kohën e fundit jam kthyer gjithë i zhgënjyer për Kosovë, për arsye se edhe duke parë udhëheqësit që kanë qenë, nuk kanë treguar një interesim për popullatën në Preshevë", thekson ai.

Banori nga Presheva, Rexhep Bektashi thotë se kanë shumë kërkesa drejtuar qeverisjes sa ardhshme lokale.

Bektashi: Pres zhvillim ekonomik

"Zhvillim ekonomik, punësim, ndërtim, të mira diçka... Varet qysh punon, shpresoj", tha ai.

Adrian Hajdini i cili jeton në Preshevë tash e 53 vjet, nuk beson shumë që do të ketë përmirësim të gjendjes në luginë.

Hajdini: Duhet të hapen vende pune

"Kërkesat janë së pari duhet të hapen vende pune, fabrika, punësim për rininë e jo të iket jashtë. Se krejt po rrejnë... Nuk besojmë hiç", tregon ai.

Shaban Kadriu thotë se pret ndryshime për të mirë, meqë sipas tij mungojnë edhe ato elementare.

Shaban Kadriu: Të njihen diplomat e Kosovës

"Të njihen diplomat e Kosovës sepse kemi të ri pa punë, kemi familje me punë, me fakultete të kryer. Me i dhënë zor pak për këto diploma për t’i njohur. Të mos ikin rinia", shprehet ai.

38 njësitë e votimit në Preshevë janë të hapura deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë rreth 42 mijë qytetarë. Në këto zgjedhje garojnë gjashtë parti politike shqiptare dhe koalicion i partive serbe të bashkuara në listën e SNS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat