Si është gjendja shëndetësore e Fatmir Sejdiut pas infektimit me COVID-19, flet vet ai

Aktuale

Si është gjendja shëndetësore e Fatmir Sejdiut pas infektimit me COVID-19, flet vet ai

Më: 28 mars 2021 Në ora: 18:37
Fatmir Sejdiu

Para disa ditësh në media u dha lajmi se Presidenti Fatmir Sejdiu është infektuar me Coronavirus dhe se gjendja e tij nuk është e mirë.

Mirëpo, sot media ka kontaktuar me Sejdiun për të parë se si është gjendja e tij shëndetësore.

Ai ka tregur për Syrin se gjendja e tij dhe e bashkëshortes është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, siç u raportua në media.

“Po, ka disa ditë që unë dhe bashkëshortja ime jemi duke u përballur me COVID-19. Kemi një trajtim jashtëzakonisht profesional në Klinikën Infektive të QKUK. Ekipi i Repartit ku ne gjendemi udhëhiqet nga Prof. Dr. Sali Ahmeti. Gjendja jonë është stabile dhe mbështetur në trajtimin që na bëhet, ajo është e përmirësuar” – shprehet Sejdiu

Tutje Sejdiu pret që shumë shpejt të kalojë këtë sfidë dhe të lëshojë Klinikën Infektive.

“ Është në ekipin mjekësor të vendosin se kur do të lëshojmë Klinikën, por besojmë se ai moment do të vijë shpejt”.

Në fund, ai falënderon tërë ekipin mjekësor, jo vetëm për kujdesin e treguar, por edhe për mbështetjen që u është dhënë gjatë këtyre ditëve.

 “Përveç ekipeve mjekësore të Klinikës, falënderojmë edhe të gjithë miqtë tanë, të cilët, në një formë apo tjetër, na kanë dhënë mbështetje për kapërcimin e kësaj sëmundjeje” – përfundon Fatmir Sejdiu.

Gjatë ditës së sotme janë raportuar edhe 914 raste të reja me COVID-19 dhe 10 viktima. Në total numri i të infektuarve aktivë tejkalon 13 mijë persona, ndërsa numri i viktimave është rreth 2 mijë.

Sipas IKSHPK-së, mjekët, të stërngarkuar në spitale, po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

 Nga ky institut kanë bërë thirrje për respektimin e masave anti COVID-19, pasi që, si pasojë e mos respektimit të këtyre masave, numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat