Ish-deputetja Shqipe Pantina pranon fajësinë për dy vepra penale

Aktuale

Ish-deputetja Shqipe Pantina pranon fajësinë për dy vepra penale

Më: 29 mars 2021 Në ora: 10:58
Shqipe Pantina

Ish-deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, e akuzuara Pantina u deklarua fajtore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Isuf Makolli e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për të njëjtën ditë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se me 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë, Pantina akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, e pandehura ka sulmuar personat zyrtar, policët Valdete Gubetini dhe Fikrije Rashica, të cilat ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, derisa të dëmtuarit ishin duke u përpjekur që të pandehurës t’ia marrin bombolën e gazit lotsjellës nga dora, me ç’rast të dëmtuarës-polices Valdete Gubetini i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Më këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat