Publikohet dëshmia rrënqethëse për masakrën e Izbicës, tre pleqtë e mbijetuar mes trupave të masakruar rrëfyen ngjarjen e tmerrshme

Aktuale

Publikohet dëshmia rrënqethëse për masakrën e Izbicës, tre pleqtë e mbijetuar mes trupave të masakruar rrëfyen ngjarjen e tmerrshme

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:55
Masakra e Izbicës

Liri Loshi në kuadër të shënimit të përvjetorit së masakrës së Izbicës ka publikuar dëshminë rrënqethëse  mbi këtë masakër.

Ai në një shkrim që ka deponuar në Kongresin Amerikan gjatë  2019, ka rrëfyer detajet rreth masakrës, ku ndër të tjera përmend edhe tre pleqtë e mbijetuar mes trupave të masakruar.

Më poshtë mund të lexoni të plotë dëshminë e Loshit:

30 Prill 2019

Kam lindur në fshatin Pemishtë të komunës së Skenderajt më 20 gusht 1960. Kam punuar si mjek i përgjithshëm në Skenderaj dhe Runik nga viti 1989 deri në vitin 1999, kur u zhvendosa në Kanada me familjen time. Gjatë luftës në Kosovë, kam punuar në një klinikë mjekësore në Runik, ku rregullisht kam mjekuar pacientë të të gjitha etnive, përfshirë këtu shqiptarët dhe serbët. Kur konflikti midis forcave serbe dhe UÇK-së u intensifikua, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe filluan të bombardonin të gjithë zonën e Runikut. Njerëzit nuk kishin zgjidhje tjetër përveç të linin shtëpitë e tyre dhe të lëviznin në fshatrat e largëta në zonën përreth për të kërkuar strehim nga sulmet serbe. Një nga këto fshatra ishte Izbica. Fshati im, Pemishtë, si shumë të tjerë, u dogj. Unë mbeta pa shtëpi, pra pa strehë për veten dhe familjen time. Në qershor 1998, shkova në një fshat fqinj të quajtur Leçinë. Nga atje shkova në Izbicë dhe Turiçefc, për të punuar si mjek.

Më 24 mars 1999, fshati Klladernicë u granatua nga forcat serbe që ishin vendosur në Runik, i cili është vetëm disa kilometra larg Klladernice. Njëra nga predhat goditi një shtëpi dhe vrau tre njerëzit që ishin brenda. Popullsia e fshatit më pas u mblodh në ndërtesën e shkollës fillore për t’u strehuar nga predhat. Më 25 Mars njerëzit filluan të përqendroheshin në Luginën e Izbicës. Nga 26 Marsi, aty ishin mbledhur mijëra njerëz. Në mëngjesin e 27 Marsit, një shok imi, dentisti Xhavit Dragaj, me të cilin kam punuar dikur në stacionin shëndetësor në Runik, më kërkoi ta ndihmoja atë dhe familjen e tij për t’i larguar nga Izbica. Nga aty ku ishim ne mund të dëgjonim serbët duke bombarduar dhe ky ishte një tregues i qartë se forcat serbe po i afroheshin Izbicës. Unë e dërgova Xhavitin dhe familjen e tij me makinën time nja tre katër kilometra përtej Izbice, respektivisht në fshatin Tushile. Ky fshat ishte bërë gjithashtu një pikë tubimi për civilët e larguar nga shtëpitë e tyre. Kur mbërritëm në Tushilë, kuptuam se fshati ishte i mbipopulluar dhe shtëpitë më nuk kishin kapacitet për të strehuar njerëz. Në Tushile ndenja deri më 29 Mars. Aty pashë se njerëyzit ishin mbledhur në një vend të hapur në fushë dhe vendqëndrimin e tyre e kishin rrethuar  me çarçafë të bardhë për t'u sinjalizuar forcave serbe se ishin civilë të paarmatosur. Kishte mijëra njerëz në Tushilë dhe të gjithë ishin civilë.

Më 29 Mars, vonë në mbrëmje, u largova nga Tushila, sepse e dija që forcat serbe ishin afruar. Shkova në fshatin Kopiliq i Eperm, i cili është në mes të rrugës nga Tushila për Izbicë. Ndërsa isha në Tushilë, kisha biseduare me disa gra që atë ditë arritën në Tushilë, meqë ishin detyruar që bashkë me fëmijët të largoheshin nga Izbica pasi ishin ndarë dhunshëm nga burrat e tyre. Ato më thanë se forcat serbe i kishin marrë burrat e tyre në tre grupe të ndryshme. Pak pasi ishin ndarë nga burrat, gratë kishin dëgjuar të shtëna armesh. Kjo i kishte bërë ato të besonin se burrat e tyre ishin vrarë. Megjithatë, ato nuk kishin qenë dëshmitarë të vrasjes meqë nuk e kishin parë ngjarjen me sytë e tyre dhe për këtë arsye nuk mund ta konfirmonin atë. Prandaj, unë besoja se ishte e nevojshme që të shkoja vetë në Izbicë në mënyrë që ta mësoja të vërtetën.

Të nesërmen, më 30 mars,  shkova nga Kopiliqi në Izbicë. Kur arrita atje, pashë trupat e vrarë të shtrirë në tokë. Ishte pra e qartë se kishte ndodhur një masakër. Pastaj, disa njerëz që kishin jetuar në zonë dhe kishin shpëtuar në saje të fshehjes së tyre thellë në male, më drejtuan për në vendin ku kishin qenë trupat e masakruar të shpërndarë në tokë. Kishte tre grupe trupash, disa qindra metra larg njëri prej tjetrit. Secili grup kishte midis 30 dhe 50 njerëz. Kështu që edhe në shikim të parë, mund të konstatoje se ishin rreth 100 vetë a më shumë të vrarë atje. Pastaj i kemi numëruar 127 gjithsej. Duke gjykuar nga veshjet e tyre dhe këpucët që ata ende kishin veshur, mund të thuhet se këta individë ishin përgatitur për udhëtime të gjata dhe ishin refugjatë që kishin ikur nga një vend tek tjetri për të shpëtuar jetën e tyre. Në tokë pashë njolla gjaku pranë trupave dhe shenja të pagabueshme të ekzekutimit nga të shtënat me armë. Nga pamja e plagëve në fytyrat dhe trupat e tyre, mund të dalloja se ata ishin qëlluar nga një distancë shumë e afërt. Vetëm zjarri me distancë të afërt mund të kishte shkaktuar kaq të tmerrshëm dëmtimin e tyre. Nuk kishte dyshim se të gjithë këta burra ishin masakruar brutalisht.

Pasi pashë pamjen e tmerrshme të këtyre trupave të masakruar, menjëherë kërkova një kamerë që të regjistronim ato pamje për t'i treguar botës se çfarë kishte ndodhur në Izbicë më 28 mars, 1999. E gjetem zotin Sefedin Thaçin, i cili e kishte fshehur kamerën nën tokë, dhe i kërkova të vinte me mua për të filmuar së bashku pamjet. Ai pranoi dhe ne filluam të filmonim. Në të njëjtën ditë, anëtarët e UÇK-së dhe civilët që ishin në zonë u mblodhën së bashku për të gërmuar varre dhe për të varrosur trupat, shumica e të cilëve ishin anëtarët e familjes ose të afërm të tyre. Ishim pak më shumë se një kilometër larg forcave serbe të cilët, pasi bënë këtë masakër, ishin vendosur në fshatin Vojnik. Ndërsa po filmonim trupat, tre të moshuar më afruan dhe më thanë se ata ishin në mesin e civilëve të plagosur që i kishin mbijetuar masakrës. Pasi mbaruam me varrosjen e trupave, Sefedini më filmoi derisa po intervistoja tre pleqtë që na përshkruan me fjalët e tyre ngjarjen e tmerrshme që kishin përjetuar. Ata më treguan se si ishin rreshtuar dhe se si kishin qëlluar nga afër forcat serbe. Megjithë breshëritë e  plumbave që kishin shkaktuar mbi njëqind vrasje, ata mrekullisht kishin shpëtuar pa goditje vdekjeprurëse. Për të mbijetuar, atyre iu desh të shtriheshin nën trupat e viktimave që ishin vrarë dhe qëndronin akoma derisa forcat serbe të largoheshin. Midis këtyre trupave të masakruar identifikova tre kushërinjtë e mi. Ata ishin tre breza burrash nga e njëjta familje, Selman Loshi, djali i tij Jashar Loshi dhe nipi i tij Sami Loshi.

M'u deshën afërsisht një muaj dhe disa përpjekje për të dalë nga Kosova dhe për dërguar shiritin tim në Shqipëri. Nga atje unë isha në gjendje ta dërgoja videon në Shtëpinë e Bardhë, në selinë e NATO-s, në Tribunalin e Hagës dhe në media ndërkombëtare. Unë kam dëshmuar për masakrën që kisha parë në Izbicë gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviçit më 2002 dhe në gjyqet e dy grupeve të tjera të Serbisë zyrtare,  të cilët u gjykuan në 2006 dhe 2009 për krime lufte të kryera në Kosovë.

Masakra në Izbicë nuk është adresuar kurrë siç duhet. Ka akoma ka kaq shumë kriminelë serbë të cilët nuk janë ndëshkuar për krimet që ata kanë kryer kundër popullatës civile në Kosovë në vitet 1990. Unë kërkoj që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të kërkojë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera në Kosovë, duke ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat