Lumir Abdixhiku i dërgon mesazh të qartë Agim Veliut dhe Driton Selmanajt

Aktuale

Lumir Abdixhiku i dërgon mesazh të qartë Agim Veliut dhe Driton Selmanajt

Më: 30 mars 2021 Në ora: 14:51
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pret që të gjithë deputetët e këtij subjekti politik, përfshirë Agim Veliun e Driton Selmanajn, ta respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për të qëndruar në sallën e Kuvendin kur Vjosa Osmani do të votohet për presidente. Ky veprim i jep mbështetje kësaj të fundit për t’u zgjedhur në pozitën e shefes së shtetit.

Abdixhiku ka thënë se diskutime do të ketë gjithnjë në LDK, por shtoi se pret respektim të këtij vendimi të partisë prej secilit deputet.

“Fillimisht ju kisha lutur që të keni mirëkuptim dhe të mos i personalizoni gjërat në emra individualë. Kemi diskutim, do të kemi diskutim në vazhdimësi. Unë pres që secili deputet i LDK-së ta respektojë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku, duke komentuar mundësinë që deputetë si Agim Veliu e Driton Selmanajn të mos e respektojnë vendimin për të qëndruar në sallë kur Vjosa Osmani të votohet për presidente.

Ai tha se i ka kërkuar deputetëve që ta mbështesin propozimin e tij, duke theksuar se ua ka bërë të ditur atyre edhe vendimin e Kryesisë, që për të është më i rëndësishmi.

“Siç e kam informuar Kryesinë, e kam informuar edhe Grupin Parlamentar. Mbi të gjitha e kam informuar për vendimin e Kryesisë, që është organi më i lartë partiak. Ju kam kërkuar mbështetje në këtë drejtim dhe pres mbështetje nga të gjithë deputetët e LDK-së”, tha Abdixhiku.

“Nuk komentoj situata hipotetike”, ka thënë kryetari i LDK-së kur është pyetur se çfarë do të ndodhte nëse disa deputetë të kësaj partie nuk do të qëndronin në sallë ditën kur votohet Vjosa Osmani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat