Javën e ardhshme një javë pushim për të gjitha shkollat

Aktuale

Javën e ardhshme një javë pushim për të gjitha shkollat

Më: 30 mars 2021 Në ora: 16:16
Ymer Ymeri

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë, ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkollat në nivel vendi.

Këto i ka bërë të ditura për median, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai thotë se tashme është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat në të gjithë vendin, e një gjë të tillë sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ymeri: Është vendosur që gjatë javës së ardhshme të mbahet një javë pushim

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, thotë ai.

Ai potencon se të gjithë përfaqësuesit në këtë takim janë deklaruar pro mbajtjes së pushimit pranveror, e një pushim i tillë thotë se është i mirëseardhur edhe për shkak të numrit në rritje të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve edhe brenda personelit arsimor.

Ymeri: Për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë

“Është interesantë se për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë, edhe Këshilli i Prindërve edhe ne si përfaqësues të mësimdhënësve dhe DKA-të...Duke e pasur parasysh numrin në rritje të infektimeve që janë këto ditë edhe duke e pasur parasysh që kemi raste të vdekjeve edhe të mësimdhënësve, për shembull sot e kemi një rast vdekje në komunën e Prizrenit që ka vdekur nga COVID-19. Si dhe duke e pasur parasysh se rastet e reja të paraqitjes së COVID-it po ka edhe tek fëmijët, nxënësit mendojmë që është mjaftë e dobishme në mënyrë që ta ulim pak infeksionin këto ditë. Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”, thotë ai.

Gjatë pushimit një javor, Ymeri deklaroi se do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore, derisa thotë se edhe pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online.

Ymeri: Të fillojmë mësimin në objektet shkollore jo në mësimin online

“Gjatë kësaj kohës së pushimit do të punohet shumë, ashtu së paku u tha, që të dezinfektohen shkollat, të përgatiten sa më shumë që është e mundur dhe përsëri të fillojmë me skenarin A, B, C varësisht nga nevoja. Do të thotë të fillojmë mësimin në objektet shkollore jo në mësimin online dhe ne si përfaqësues të punëtorëve edhe ne e përkrahim idenë dhe qëndrimin që mësimi të zhvillohet deri në momentet kur është shumë i rrezikuar shëndeti i mësimdhënësve, i punëtorëve në arsim edhe i nxënësve. Deri në ato momente bëjmë çmos që ta ruajmë mësimin në klasë, jo nga distanca për shkak se nuk është as i përafërt mësimi online me atë mësimin me prezencë në klasë”, thotë ai.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore.

Ymeri thotë se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

Ymeri: Zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune, një të shtune po, një të shtune jo në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që kalendari për klasën 1-8 viti shkollor përfundon me 30 qershor mos të shtyhet edhe në korrik mësimi”, thotë ai.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të mbahet nga 29 marsi deri me 4 prill, por që pushimi të mbahet nuk kishte vendosur qeveria në detyrë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat