Zyrtari i VV-së jep detaje për shtëpinë ku u vendos kryeministri Kurti, ja pse i akuzon mediat pro-Ramës

Aktuale

Zyrtari i VV-së jep detaje për shtëpinë ku u vendos kryeministri Kurti, ja pse i akuzon mediat pro-Ramës

Nga: A.Zh Më: 31 mars 2021 Në ora: 17:40
Shtëpia ku është vendosur me qira kryeministri Kurti

Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar mediat shqiptare pro-Edi Ramës, se po merren me çështjen e shpërnguljes së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në shtëpinë me qira në Prishtinë.

Zaimi ka akuzuar këto media, se nuk po i publikojnë dy lajmet tjera aktuale në Kosovë, si ngritja e bazës më të madhe ushtarake të FSK-së në Mitrovicë dhe arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë të Telekomit të Kosovës.

Sipas tij, ato po shqetësohen se kryeministri Kurti po ndjek protokollin e sigurisë, ndërsa ka parashtruar pyetjen se mos po i tremben luftës kundër korrupsionit, përcjell Bota sot.

Zyrtari i VV-së ka treguar se shtëpia ku është vendosur Kurti, nuk është luksoze, por mesatare, e ndërtuar në vitet e 80-ta.

Reagimi i Zaimit në Facebook:

Disa media në Shqipëri, (sigurisht pranë qeverisë), po bëjnë temë se pse ka dalë kryeministri i Kosovës në shtëpi me qira. Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit të saj ka bërë me dije që kjo masë është marrë për arsye sigurie. Për më tepër, shtëpia nuk është as luksoze e as në lagje rezidenciale, por një shtëpi mesatare, e ndërtuar në vitet ‘80. Megjithatë, kush dëshiron të kapet, le të kapet, por ndërkohë këto dy ditë ka pasur dy lajme në Kosovë që këto media pro-Ramës nuk po i publikojnë: është vendosur ngritja e bazës më të madhe ushtarake të FSK në Mitrovicë; si dhe janë arrestuar ish-zyrtarë të lartë të Telekomit të Kosovës, zyrtarë në ministritë e shkuara, të akuzuar për korrupsion.

Çudi, këta që shqetësohen se pse Albin Kurti ndjek protokollin e sigurisë, nuk gëzohen kur FSK avancon në Mitrovicë e as kur luftohet korrupsioni në Kosovë? Pse vallë? Kaq shumë i tremben luftës kundër korrupsionit, dhe kaq thellë ka shkuar miqësia me Vuçiqin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat