Thaçi hedh kritika ndaj VV-së, pas emërimit të Kusari-Lilës si shefe e grupit parlamentar

Aktuale

Thaçi hedh kritika ndaj VV-së, pas emërimit të Kusari-Lilës si shefe e grupit parlamentar

Më: 31 mars 2021 Në ora: 22:38
Jusuf Thaçi

Njohësi i çështjeve politike, Jusuf Thaçi, ka hedhur kritika ndaj emërimit të Mimoza Kusari – Lila, si ushtruese detyre e udhëheqësit të grupit parlamentar, të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një shkrim, Thaçi thotë se shef i grupit parlamentar duhet të jetë një person që mishëron, përfaqëson dhe simbolizon më së miri e më së shumti aspektet themelore identitare të subjektit politik parlamentar përkatës (ideologjinë, filozofinë, historinë, vizionin, qëllimet, qëndrimet, etj. të subjektit politik).

Thaçi këto tipare nuk i sheh tek Mimoza Kusari – Lila, e cila siç thotë ai: nuk është madje as pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje, Thaçi ka shtruar pyetje nëse me këto veprime Lëvizja Vetëvendosje po heq dorë nga identiteti i saj.

Reagimi i plotë i tij:

Shef i grupit parlamentar duhet të jetë njëra/i nga deputetet/ët që mishëron, përfaqëson dhe simbolizon më së miri e më së shumti aspektet themelore identitare të subjektit politik parlamentar përkatës (ideologjinë, filozofinë, historinë, vizionin, qëllimet, qëndrimet, etj. të subjektit politik).

Nëse LVV vendos përfundimisht që Shef i grupit parlamentar të LVV-së të bëhet një person që nuk është as anëtar i LVV-së dhe me të cilin (aq sa dimë) ka edhe mospërputhje për gjëra themelore, atëherë cili është mesazhi i këtij vendimi të LVV-së?! 1) LVV po heq dorë nga identiteti i vet?! Apo 2) LVV nuk ka asnjë deputet/e tjetër të aftë e të shkathtë, e/i cila/i e mishëron, e përfaqëson dhe e simbolizon më së miri e më së shumti identitetin e LVV-së, në mënyrë që ai/ajo të zgjidhet Shef i grupit parlamentar të LVV-së?!

P.S:

1. Në mënyrë absolute nuk kam asgjë kundër znj. Kusari-Lila si person, reagimi im është tërësisht parimor, nuk ka lidhje me emrin e përveçëm.

2. Nëse dikush mundohet ta arsyetojë këtë në emër të zemërgjerësisë së LVV-së në raport me personat që nuk janë pjesë e partisë, atëherë ata duhet ta dinë se pozita e Shefit të grupit parlamentar nuk është e përshtatshme për ta dëshmuar këtë zemërgjerësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat