A përbën shkelje protokollare e ligjore lëvizja e Kurtit në shtëpinë e re? Flet eksperti i protokollit

Aktuale

A përbën shkelje protokollare e ligjore lëvizja e Kurtit në shtëpinë e re? Flet eksperti i protokollit

Më: 1 prill 2021 Në ora: 19:23
Shtëpia e re ku u vendos Kurti

Kryeministri Albin Kurti është zhvendosur nga një banesë me hapësirë 60 metra katrorë në një shtëpi me 400 metra katrorë.

Eksperti i protokollit, Tomorr Avdia, ka thënë se kjo nuk përbën shkelje të protokollit e as të ligjeve në fuqi.

“Nuk është e përcaktuar me ligj saktë se kur duhet të merret vendimi për ndryshimin e vendbanimit, pasi kryeministri është zyrtar i lartë i shtetit ku në hierarkinë e shtetit është numri tre. Në këtë formë ai ka të drejtë të banojë në një hapësirë e cila është e nevojshme për të. Lëvizja nga shtëpia e vjetër në shtëpinë e re nuk përbën shkelje të ligjit”.

Ai ka shpjeguar se sipas Ligjit për Protokollin e Shtetit kryeministrit, ashtu sikur edhe zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, nuk iu takon asnjë privilegj sa i takon hapësirës ku ata banojnë.

“Kryeministrit nuk i ofrohet, në bazë të Ligjit për Protokollin e Shtetit dhe privilegjeve që ka, ndonjë mbështetje sa i përket strehimit. E vetmja mbështetje është siguria e tij dhe çështjet e tjera që i mbulon Protokolli i Kryeministrit dhe Shtetit. Në Kosovë mungojnë edhe institucionet e tjera ndihmëse për kryeministrin, presidentin dhe kryetarin e kuvendit sa i përket hapësirave që i përdorin gjatë kohës në pushtet, si rezidencat qeveritare, shtëpitë e pritjeve apo ambienteve që një zyrtar i lartë i shtetit mund t’i shfrytëzojë gjatë kohës sa janë në pushtet. Në bazë të ligjit shteti nuk ka asnjë obligacion sa i përket zgjedhjes së vendbanimit të tij. Mënyra e largimit të tij nga një hapësirë për një hapësirë më të madhe nuk përbën shkelje dhe nuk është çështje me të cilën duhet të merren institucionet”.

Avdia ka thënë se kryeministrat në Kosovë s’e kanë ndryshuar vendbanimin pikërisht për shkak se në Kosovë nuk ka rezidenca qeveritare ose presidenciale ashtu siç ka në shtetet e rajonit.

“Siguria e bën një profil të qartë se ku mund të jetojë kryeministri. Edhe kryeministrat e tjerë nuk kanë ndryshuar shumë vendqëndrime, ish-kryeministri Avdullah Hoti që ka jetuar në banesën e tij në Ulpianë dhe aty e ka përfunduar mandatin. Njëlloj ka ndodhur edhe me kryeministrat e tjerë, pasi ligji nuk ua jep këtë privilegj. Duhet ta përmendim faktin se shtetet kryesore të rajonit e kanë të përcaktuar me ligj se ku mund të jetojnë zyrtarët e shtetit – presidenti ka të drejtë të ketë rezidencë, zyra dhe rezidencë për pritje dhe familja e tij jeton gjatë gjithë kohës në rezidencën presidenciale, kurse kryeministri i shfrytëzon këto hapësira për delegacione të nivelit të lartë por nuk është përcaktuar me ligj se ai mund të jetojë në rezidencë qeveritare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat