VOA: Këto janë sfidat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë

Aktuale

VOA: Këto janë sfidat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 21:54
Prishtinë

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të vazhdojë bisedimet me Serbinë duke theksuar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet të dyja vendeve është një sfidë madhore.

Në një letër urimi drejtuar kryeministrit Kurti me rastin e formimit të qeverisë së tij, ai shfaqi “shpresën për vazhdimin e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse të Serbisë”. Në letër ai thekson se është i gatshëm ta pres kryeministrin Kurti në Paris për të diskutuar këtë cështje.

Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që ka ka paralajmëruar se brenda javësh do të organizojë një takim ndërmjet udhëheqësve të të dyja vendeve, në një kohë kur qeveria udhëhiqet nga Albin Kurti i cili në disa raste ka theksuar se bisedimet me Serbinë nuk do të jenë përparësi e punës së tij.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë se për Kosovën bisedimet me Serbinë janë çështje me rëndësi pasi që përmbyllja e tyre do të mundësojë edhe përmbylljen e sovranitetit ndërkombëtar të saj.

“Faktori ndërkombëtarë këtë na e ka bërë me dije shumë qartë dhe nuk do të na ndihmojë ndryshe, nuk do të ketë proces paralel, nuk do të ketë proces të njëanshëm, nuk do të ketë presion mbi Serbinë fatkeqësisht dhe nuk do të ketë një Bashkim Evropian tjetër. Do të na presin, pra dy palët Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë marrëveshje dhe kur do të jenë të gatshme është vështirë të shihet por së paku në këtë fazë nuk janë të gatshme”, tha ai.

Image
Naim Rashiti

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se me administratën e re amerikane, është krijuar një mjedis më i përshtatshëm për të vazhduar bisedimet.

“Besoj se do të varet shumë edhe nga tempo e BE-së se si do t’i qaset dialogut tash me këtë qeveri të re pasi që kemi ndryshim të relievit politik për shkak se kemi një qeveri me fuqi shumë më të madhe dhe legjitimitet shumë më të madh dhe që besoj që është një plus për BE-në sepse nuk do të merret me një koalicion të gjerë me shumë figura që shpeshherë e kanë diktuar procesin e dialogut”, tha ai.

Image
Arbër Fetahu

Sivjet janë mbushur dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilave janë arritur marrëveshje të ndryshme teknike por jo edhe për njohjen e ndërsjellë.

Zoti Rashiti thotë se tani pas dhjetë vjetësh ka ndryshuar edhe balanci i forcave, dhe Serbia ndodhet në një pozicion më të përshtatshëm për bisedime se sa Kosova.

“Dhjetë vite pas do të flasim për dinamikë tjetër dhe konstelacion tërësisht tjetër politik vendor, rajonal, evropian dhe ndërkombëtarë. Në këtë konstelacion të ri Kosova do të duhet të adaptohet në kërkim të një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. A do të arrijë, të shohim”, tha ai.

Por, rinisja e bisedimeve do të varet edhe nga zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, në një kohë kur është duke u ngushtuar koha për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që duhet të përmbyllet gjatë muajit të ardhshëm.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike, është zotuar se do të marrë pjesë në votimet për presidentin e ri, që mund të ndodhin së shpejti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat