​Kusari: Seanca për Ligjin për Zgjedhje mbahet sot, për presidentin varet edhe nga vullneti i deputetëve

Aktuale

​Kusari: Seanca për Ligjin për Zgjedhje mbahet sot, për presidentin varet edhe nga vullneti i deputetëve

Më: 2 prill 2021 Në ora: 14:48
Mimoza Kusari-Lila

(E plotësuar 16:51) - Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kanë parashtruar kërkesë që seanca e jashtëzakonshme për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës të mbahet sot. Ndërsa, seanca për zgjedhjen e presidentit tha se do të varet nga përfundimi i seancës së parë dhe vullneti i deputetëve për të votuar.

Ajo tha se tashmë kanë konfirmimin se i kanë 80 vota për presidentin, derisa shtoi se zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente nuk po bëhet si rrjedhojë e pazareve politike.

Kusari: Në varshmëri edhe të vullnetit të deputetëve do të caktojmë edhe seancën për presidentin

“Sa i përket seancave ne shpresojmë, gjegjësisht kemi bërë kërkesën që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, me pikën e vetme të rendit të ditës amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet, proces ky i cili do të kërkojmë të shkojë me procedurë të përshpejtuar në dy lexime që do të ndodhin brenda ditës së sotme. Pastaj varësisht nga afate kohore do të procedojmë edhe me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës...Nëse kjo përfundon brenda pak orëve në varshmëri edhe me vullnetin e deputetëve të cilët duhet të jenë prezent në sallë dhe natyrisht të jenë pjesëmarrës në votim ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën tjetër të radhës për votimin e presidentit të Republikës së Kosovën”, tha ajo.

Ajo konfirmoi që kanë paraqitur pranë kryesisë së Kuvendit të Kosovës për dy kandidaturat për presidentet të Kosovës, ku janë dy kandidatë, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta. Të dy kërkesat, sipas saj janë protokolluar pranë sekretarisë së Kuvendit.

Kusari u shpreh se tashmë kanë konfirmimin se janë 80 vota për të marrë pjesë në votim, ndërsa tha se seanca synon që t’i arrijë afatet ligjore dhe kushtetuese për një mandat të mirëfilltë të presidentit të Kosovës.

Kusari: Kemi konfirmimin se janë 80 të vullnetshëm

“Ne do të kemi presidenten znj.Osmani presidente në momentin kur kjo konfirmohet nga Kuvendi i Kosovës, nuk mund të flas unë sot këtu para juve për fakte të kryera nëse nuk është kryer procesi i votimit brenda në sallë. Nëse i kemi siguruar 80 vota po nga vullneti i shprehur i deputetëve të Kuvendit të Republikës kemi konfirmimin se janë 80 të vullnetshëm të marrin pjesë në procesin e seancës së votimit. Përderisa ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodh brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëjtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Sa i përket pjesës së ditës se kur do të mbahet seanca po e shohim që kjo nuk vjen si një seancë si rrjedhojë e pazareve politike as nuk vjen si një seancë e pritjeve të ndonjë liste që vjen nga Beogradi për të dhënë votën ose konfirmimin një qeverie ose një presidenti për t’u legjitimuar para qytetarëve të Kosovës. Është një seancë e cila synon t’i arrijë afatet ligjore dhe kushtetuese për një mandat të mirëfilltë të presidentit të Republikës dhe natyrisht për plotësim të funksioneve të institucioneve të Kosovës”, tha ajo.

E pyetur se a kanë konfirmim nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) se nëse seanca do të mbahet sonte a do të qëndrojnë në sallë dhe do të marrin pjesë në votim, ajo tha se e dinë se kur fillon seanca por jo edhe kur përfundon. Ajo tha se e kanë për obligim institucional që të qëndrojnë në sallë të Kuvendit kur mbahet seancë.

Kusari: Ne e dimë kur fillon seanca, nuk e dimë kur përfundon

“Ne e dimë kur fillon seanca, nuk e dimë kur përfundon dhe e kemi për obligim institucional politik dhe kushtetues të qëndrojmë në seancë derisa ajo mbahet. Prandaj, edhe në këtë rrethanë në momentin kur deputetët apo parti politike apo grupe parlamentare deklarojnë se do të jenë aty në procese të caktuara ne llogarisim se ata do të qëndrojnë aty pa marrë parasysh se sa zgjatë ose sa do të jetë afati kohor për zgjatjen e seancës”, tha ajo.

Ndërsa, e pyetur se a kanë pasur komunikim me grupet e tjera parlamentare se a do të qëndrojnë në sallë kur të votohen presidenti, Kusari-Lila tha se nuk mund të komentojë përveç deklaratave të tyre publike që kanë dhënë në raport me qëndrimet e grupeve parlamentare, derisa tha se ka pasur deklarime individuale të deputetëve për këtë çështje.

Se a po e përdorin Ligjin për Zgjedhjet si kërcënim që nëse nuk do të zgjedhjet presidenti do të shkojnë në zgjedhje, Kusari tha se ky Ligj është mbajtje e premtimeve elektorale dhe është domosdoshmëri e kohës për të siguruar se vullneti i diasporës po jetësohet.

Kusari-Lila: I kemi votat për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente

Mimoza Kusari- Lila u.d e shefes së grupit parlamentar të VV-së, ka njoftuar se  kanë paraqitur dy kandidaturat për president në Kryesi të Kuvendit, ,Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Ajo ka bërë të ditur se nuk do të ketë kërkesë për mbajtjen e seancës për votimin e presidentit gjatë ditës së premte, por ka thënë këtë do ta bëjnë brenda afatit kohor.

“Kemi paraqitur dy kandidaturat e para është Vjosa Osmani dhe i dyti Nasuf Bejta. Ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën brenda afatit kohor të paraparë”, tha ajo.

“Ne do të kemi zonjën Osmani presidente në momentin që kryhet procesi i votimit, ne kemi të pohuar se kemi vullnetin e 80 deputetëve që i kanë thënë po kësaj çështje”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se kanë kërkuar që sot të ketë seancë të jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, cila u mundëson diasporës votimin në ambasada të Kosovës

“Është proceduat ligji që mundëson votimin e mërgatës në të gjitha ambasadës së diasporës. Si listë e LVV-së kemi dhënë betimin kryesor që ligji i zgjedhjeve do të jetë parësor gjegjësisht kjo pjesë”, tha ajo.

E konfirmon Kusari-Lila: Kemi dy kandidatura për president të Kosovës

U.d e kryesuesit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media tha se çfarë vendimi ka marrë sot kjo parti.

“Konferencën e ftuam për t’ju njoftuar për dy procese. GP ka propozuar amendamentin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ky ligj do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Sot ne deputetët, kemi paraqitur kërkesën edhe për dy kandidatura për presdient. Vjosa Osmani, ka nënshkrimet e nevojshme dhe Nasuf Bejta. Të dyja kërkesat janë protokolluar”, tha Kusari-Lila.

Në ora 15:00 LVV mban konferencë për media

Zëdhënësi i LVV, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i LV-së mban konferencë për media në të cilën flet u.d e kryesuesit të GP-së Mimoza Kusari-Lila.

“Në orën 15:00, Grupi Parlamentar i LV-së mban konferencë për media në të cilën flet u.d e kryesuesit të GP-së Mimoza Kusari-Lila.

Konferenca mbahet në hollin e Kuvendit.

Ftojmë mediat ta përcjellin!”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat