Cakolli i reagon VV-së: Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet i gabuar për dy arsye

Aktuale

Cakolli i reagon VV-së: Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet i gabuar për dy arsye

Nga: A.Zh Më: 2 prill 2021 Në ora: 15:46
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se për momentin çdo iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Zgjedhjet, është i gabuar.

Hulumtuesi ka përmendur dy arsyet, pse sipas tij, është e gabuar iniciativa e marrë sot nga Lëvizja Vetëvendosje, përcjell Bota sot.

Sipas tij, reformimi i sistemit zgjedhor duhet të reflektojë një konsensus më të gjerë politik, duke përfshirë edhe opozitën.

Reagimi i Cakollit në Facebook:

Në këtë momentum politik, çfarëdo iniciative për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit zgjedhor, pavarësisht përmbajtjes, është e gabuar për të paktën dy arsye:

- Në radhë të parë, kjo iniciativë aty-për-aty, po bëhet pa konsultim me opozitën, në kundërshtim me parimin e gjithëpërfshirjes dhe transparencës - që duhet domosdo ta shoqërojnë procesin e reformës.

- Së dyti, kjo iniciativë, edhe nëse nuk ka fare lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare (si formë presioni), është sërish në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, të Komisionit të Venecias. Ky i fundit, parasheh që elementet themelore të sistemit zgjedhor, veçanërisht ato që mund të kenë ndikim përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, ose si ndryshime, duhet të parashihen në Kushtetutë apo ligje të një niveli më të lartë se ligjet e zakonshme. E Kosova domosdo të ketë zgjedhje të rregullta të nivelit lokal në vjeshtë të këtij viti.

Kosova ka nevojë për reformim përmbajtësor e teknik të sistemit zgjedhor, por jo me iniciativa të parcializuara që adresojnë secila elemente të caktuara. Mbi të gjitha, reformimi i sistemit zgjedhor duhet të reflektojë një konsensus më të gjerë politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat