Shënohet Dita e Autizmit, OAK gëzon fëmijët me dhurata

Aktuale

Shënohet Dita e Autizmit, OAK gëzon fëmijët me dhurata

Më: 2 prill 2021 Në ora: 16:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Trajtim të barabartë, implementim të ligjit në fuqi e vëmendje institucionale po kërkohet në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin. Prindërit e fëmijëve autikë po kërkojnë mbështetje nga shteti. Madje, ata kanë ankesa për mospërkrahje të shoqatave ku po trajtojnë fëmijët. Me rastin e kësaj dite, Oda e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me bizneset anëtare shpërndau 50 dhurata.

Në shënimin e kësaj dite, në Shoqatën e Autizmit është organizuar edhe aktivitet.

Uran Hamiti, i cili është gjashtëvjeçar pati një porosi.

Hamiti: Duhet të jemi të barabartë

"Të gjithë fëmijët e botës duhet të jenë të barabartë", ka thënë ai.

Të njëjtën kërkesë pati edhe Rashit Gashi, i cili trajton djalin e tij tetë vjeçar në këtë shoqatë, ku shtoi se sfidat janë të jashtëzakonshme.

Gashi: Keqardhje që nuk është as një përfaqësues institucional lokal apo qendror

"Siç e shihni edhe vet këtu ku jemi prezent, fëmijët me autizëm stimulohen në këto lodra, në këtë vend pune. Gjatë seancave logopedie, psikologjike për një pauzë pesë minutëshe i dërgojnë këtu për një stimulim për të vazhduar më tutje. Është për keqardhje të shiheni edhe vet se nuk është as një përfaqësues institucional lokal apo qendror. Madje nuk na i kanë dhënë në shfrytëzim as këtë ambient", ka shtuar ai.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se tash e sa vjet është zëri i të drejtës së autikëve, për çka shtoi se është mirë që të punohet për të drejtat e personave me autizëm.

Jahjaga: Duhet të jemi më aktivë për mbrojtjen e të drejtave të autikëve

"Duhet që edhe si institucione, por edhe si qytetarë që të jemi më aktivë, në mënyrë që të hapim rrugë të implementimit të këtyre ligjeve dhe të kemi drejta sa më të mëdha për të gjithë personat me sëmundjen e autizmit", tha ajo.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka dhuruar 50 dhurata për fëmijët autikë. Qëndresa Ibrahimi tha se në bashkëpunim me disa biznese po dhurojnë ato, me qëllim të sensibilizimit dhe shënimit të kësaj dite.

Ibrahimi: Kemi përgatitur 50 dhurata për fëmijët

"Ne kemi përgatitur 50 dhurata të fëmijëve të kësaj shoqate, me qëllim që sado pak me nga një dhuratë simbolike t'i gëzojmë fëmijët dhe të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Autizmit", tha ajo.

Jusuf Islami nga organizata joqeveritare "Projekti pesë centë", tha se në shënimin e kësaj dite, vullnetarisht kanë organizuar ndejë për të gjithë fëmijët e shoqatës.

Islami: Falënderoj bizneset vendore

"T'i ndihmojë në këto tavolina, t'ua mbushi tryezën. Duke falënderuar disa biznese vendore tona që kanë ndihmuar për të realizuar këtë ndejë", tha ai.

Dita Botërore për Ndërgjegjësimin mbi Autizmin synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat