Miftaraj: Pushteti nuk guxon të shantazhojë me zgjedhje dhe do të fitojë 500 mijë vota

Aktuale

Miftaraj: Pushteti nuk guxon të shantazhojë me zgjedhje dhe do të fitojë 500 mijë vota

Më: 3 prill 2021 Në ora: 13:02
Ehat Miftaraj

Shoqëria civile po shprehet kritike ndaj qasjes së partisë në pushtet dhe kreut të saj, Albin Kurti për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, ashtu siç u tentua dje në Kuvendin e Kosovës. Madje, sipas drejtorit të IKD-së, pushteti edhe pse i ka numrat, nuk guxon të jetë arrogant dhe të shantazhojë me zgjedhje se do të fitojë 500 mijë vota. Ai konsideron se kjo qasje do të ketë reagime të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë.

Ehat Miftaraj e konsideron lajm të mirë që ky ligj nuk mori përkrahjen e duhur në seancën e mbrëmshme. Tutje shton se i njëjti do të shkojë në procedura të rregullta ashtu siç e përcakton Ligji për Iniciativat Ligjore dhe rregullorja e qeverisë për konsultimet publike.

Ai thotë se gjatë ditës së djeshme, pushteti tentoi që me procedura të shpejta të ndryshojë Ligjin për Zgjedhjen pa konsultime publike dhe me opozitën.

Miftaraj: Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme hyn në kuadër të ligjeve bazike

“Çdo shtet demokratik, pas kushtetutës, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme hyn në kuadër të ligjeve bazike që promovojnë apo e cenojnë demokracinë në një vend. Çdo iniciativë e çdo partie politike që me hapa të shpejtë pa konsultim publik, pa u konsultuar me opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë, pa marrë për bazë raportet ndërkombëtare lidhur me organizimin e zgjedhjeve të viteve të fundit, konsiderohet e ngutshme, e pabazë dhe që e cenon demokracinë në një vend”, thotë ai.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj shton se është jetike që deri me datën 5 prill të fillojë procesi i emërimit të presidentit të Kosovës. Në të kundërtën, siç thotë ai, vendi do të kthehet në kohën e shpalljes së pavarësisë.

Miftaraj: Pushteti nuk guxon të jetë arrogant dhe të shantazhojë me zgjedhje

“Në qoftë se nuk do të kemi presidentin deri me 5 maj të këtij viti, Republika e Kosovës do të gjendet para një situate të paparë ndonjëherë. Do të kthehemi në pikën zero menjëherë në kohën kur kemi shpallur deklaratën e Pavarësisë në shkurt të vitit 2008, apo në kohën kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës në maj të vitit 2008. Të lëshohet në aventura të tilla, ku mund të ndodhë që nga 5 maji të mos kemi president dhe të bllokohet pothuajse gjithçka, të kthehemi në anarki, sigurisht që kjo nuk do koment. Pushteti edhe pse i ka numrat, nuk guxon të jetë arrogante dhe të shantazhojë me zgjedhje se do të fitojë 500 mijë vota”, shton ai.

Për më tepër, ai konsideron se kreu i qeverisë, Albin Kurti nuk ka respekt për kërkesat e ndërkombëtarëve apo për raportet ndërkombëtare. Ai përmend raportin e DASh-it, ku përmendet qasja e qeverisë Hoti për shfuqizimin e task-forcës pa konsultime publike.

Miftaraj: Ky veprim i Qeverisë Kurti do të reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare

“Të njëjtën qasje e bëri Qeveria Kurti, tre apo katër ditë pas. Sigurisht që faktori ndërkombëtar nuk mund të tolerojë dhe nuk mund të bëjë kompromis me së paku me dy çështje në Republikën e Kosovës. Ajo është Kushtetuta dhe drejtat e liritë e njeriut dhe zgjedhjet, që nënkupton, se çfarë qasje duhet të kemi sa i përket demokracisë në Kosovë. Unë jam i bindur që reagimi do të jetë i ashpër nga partnerët ndërkombëtarë dhe ky veprim i Qeverisë Kurti do të reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare”, përfundon ai.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar nuk morën 2/3 e Kuvendit, pasi për të votuan 65 deputetë, kundër ishin 39.

Shtatë organizata joqeveritare dje i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të tërhiqet nga kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në këtë reagim thuhej se edhe në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nuk do të ketë mundësi për të bërë përgatitje të nevojshme për votim në konsullata jashtë vendit. Të njëjtit kanë konsideruar se në këtë rast do të komprometohej i gjithë procesi zgjedhor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat