Zyrtari i VV-së e respekton qëndrimin e Abdixhikut, ka dy fjalë për Hoxhajn dhe Haradinajn

Aktuale

Zyrtari i VV-së e respekton qëndrimin e Abdixhikut, ka dy fjalë për Hoxhajn dhe Haradinajn

Nga: A.M. Më: 3 prill 2021 Në ora: 13:19
Lumir Abdixhiku

Çështja e presidentit të Kosovës mund ta çojë në krizë vendin tonë.

Kjo pasi që opozita nuk e duan kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmanin për presidente.

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liri Loshi, ka thënë se qëndrimi konstruktiv dhe parimor i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut ndaj zgjedhjes së presidentit meriton respekt.

Në një postimi në Facebook, Loshi ka shkruar se ky qëndrim i Abdixhikut nuk e garanton votën e secilit deputet të LDK-së për Osmanin.

Po ashtu, ai ka folur edhe për qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së.

“PDK-ja dhe AAK-ja po e bllokojnë procesin pa ndonjë arsyetim bindës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, për Enver Hoxhajn dhe  Ramush Haradinajn ka thënë se ata e duan për vete postin e presidentit.

Postimi i plotë:

Qëndrimi konstruktiv dhe parimor i Lumir Abdixhikut ndaj zgjedhjes së presidentit meriton respekt. Por ky qëndrim i tij nuk e garanton votën e secilit deputet të LDK-së për Vjosa Osmanin. Në anën tjetër, PDK-ja dhe AAK-ja po e bllokojnë procesin pa ndonjë arsyetim bindës. E para e vlerëson Vjosa Osmanin si kandidate partiake dhe përçarëse, duke harruar se sa partiak dhe sa përçarës ishte presidenti paraprak që vinte nga PDK-ja. E dyta arsyeton hezitimin e saj për ta votuar Vjosën me spekticizmin ndaj kapacitetit të saj për të marrë vendime! Këtë e thotë kandidati i vetëshpallur për president, zoti Ramush Haradinaj, i cili  si lider partie dhe si kryeministër njihet për vendimet e tij impulsive, të papeshuara dhe kontradiktore.

Në fakt si PDK-ja, si AAK-ja, apo më mirë të thuhet si Enver Hoxhaj, si Ramush Haradinaj e duan postin e presidentit për vete. Kjo është botërisht e ditur. Prandaj tash ata janë të frustruar që me Albin Kurtin nuk mund t’i bëjnë tregëtitë politike që janë mësuar t’i bëjnë në të kaluarën dhe këtë frustrim e manifestojnë duke bllokuar procesin e votimit të presidentit. Vjosa Osmani mund të mos jetë kandidate përfekte për presidente, por momentalisht Kosova nuk e ka një kandidate më të mirë. Vjosa Osmani e ka edhe një simpati të madhe në popull dhe për këtë deshmojnë votat që ajo ka marrë në zgjedhjet e fundit për deputete. Përveç kësaj, ajo ka përkrahjen edhe të SHBA-ve dhe miqve tjerë ndërkombëtarë.

Pse atëherë PDK, AAK dhe disa deputet të LDK-së duan ta bllokojnë procesin e zgjedhjes së presidentit? A llogarisin ata në përgjegjësinë e tyre nese vendi shkon në zgjedhje? Humbësit e zgjedhjeve duhet ta kuptojnë e ta pranojnë që janë humbës dhe të heqin dorë nga tentimi për t’u katapultuar në postet kryesore të shtetit.

Kosova ka një moment të ri në demokraci e ky moment është fitorja mbi 50 për qind e  një subjekti politik. Ky fakt, pavarësisht sa i pakëndshëm mund të jetë për humbësit e zgjedhjeve, duhet të respektohet nga të gjithë dhe konform këtij fakti duhet të renditen edhe sjelljet e të gjithë akterëve  të politikës së vendit. Secili njeri i zgjedhur me votën e popullit do ta ketë përgjegjësinë e tyre politike nëse për mungesë të veprimit konstruktiv politik, qoftë si subjekt, qoftë si individ, vendi shkon në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat