Haziri: Ky është shpjegimi për veprimet e mbrëmshme të Kurtit

Aktuale

Haziri: Ky është shpjegimi për veprimet e mbrëmshme të Kurtit

Më: 3 prill 2021 Në ora: 15:51
Lutfi Haziri

Gjithçka që ndodhi dje, deri natën vonë, në Kuvendin e Kosovës, ka një qëllim të vetëm. Krijimin e përshtypjes se LDK-ja nuk është se do, por s’ka opsion tjetër pos ta votojë Vjosa Osmanin presidente të vendit.

Kjo është çfarë bëri Albin Kurti mbrëmjen e së premtes, thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sepse sipas tij, kryeministri aktual “nuk ja fal suksesin e zgjedhjes se Presidentit LDK-së”.

“Por, dëshiron gjithsesi ta ndërrojë perceptimin dhe rolin në këtë punë”, thotë shkurt Haziri.

Ndërkohë, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se “nisma e ngutshme që e pamë dje për amendamentin e Ligjit për Zgjedhjet flet për një moskokëçarje të rrezikshme që po tregon pushteti karshi interesave qytetarëve, atëherë kur gllabërohet në interesa vetanake e individuale”.

“Në anën tjetër përdorimi i Ligjit për zgjedhje për të kërcënuar opozitën shpërfaq një rrezik potencial të madh për demokracinë”, theksoi Ymeri.

Ish bashkëpunëtori i Kurtit, konsideron që ky ligj duhet të ndryshohet, por jo me kaq nguti.

“Kjo duhet bërë me procedura të rregullta dhe në përputhje me standardet e demokracisë. Jo kështu duke u fshehur natën. Jo kundër opozitës por në interes të qytetarit. A konsideroni që ka qenë shantazh ndaj opozitës dhe a e ka rrezikuar zgjedhjen e Presidentit, pasi LDK-ja ia ka kërkuar që të tërhiqet Qeveria”.

Sipas tij “Kurti në njërën anë po bën thirrje formale për bashkëpunim dhe pastaj po e përdorë secilën mundësi të vogël për t’i nënshtruar, shantazhuar e poshtëruar opozitën”.

“Në tërë këtë mes ai po tregon se nuk ka asnjë ndjesi e përgjegjësi ndaj interesave të qytetarëve. Por qe besa as ndaj bashkëpunëtorëve”.

Ai ka kritikuar edhe kandidaten për Presidente Vjosa Osmanin, për zhvillimet e së premtes në Kuvendin e Kosovës.

“Dhe heshtja e saj në këtë situatë absolutisht të panevojshme mbrëmë është shqetësuese”.

Në anën tjetër, ish- ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, po e sheh si të domosdoshme ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, në mënyrë që diaspora të votojnë nëpër konsullata dhe ambasada,.

“Është e nevojshme që të ketë reformë të Ligjit për Zgjedhje. Votimi i diasporës nëpër konsullata dhe ambasada është i domosdoshëm. Kjo kërkesë ka qenë që nga viti 2012 kur Kosova ka krijuar rrjetin e saj diplomatik, padyshim që kjo duhet të ndodh. Kjo është në dorën e Kuvendit dhe deputetëve”, potencoi Makolli.

Të premten në mbrëmje ka dështuar nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar në procedurë të përshpejtuar Ligjin për Zgjedhjet, pasi votuan vetëm 65 deputetë për dhe 39 ishin kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat