Xhavit Haliti, deputetëve të PDK-së: Dëgjojeni ambasadorin amerikan, qëndroni në sallë

Aktuale

Xhavit Haliti, deputetëve të PDK-së: Dëgjojeni ambasadorin amerikan, qëndroni në sallë

Më: 3 prill 2021 Në ora: 19:25
Xhavit Haliti

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve – të pozitës dhe opozitës – që ta zbatojnë këshillën e ambasadorit amerikan Philip Kosnett dhe të rrinë në sallë kur të votohet presidenti.

“Ju propozoj të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që e kanë fituar besimin që ta lexojnë mirë dhe ta interpretojnë drejt deklaratën e ambasadorit të SHBA-së [Philip Kosnett] dhe të veprojnë në përputhje me deklaratën e tij. Të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për ose kundër”.

Në ndërkohë, partia e tij PDK-ja ka marrë vendim që të mos qëndrojë në sallë dhe të mos e bëjë kuorumin për Vjosa Osmanin presidente.

Haliti ka thënë se ai e ka mendimin e tij dhe nuk vepron siç mendojnë të tjerët, derisa ka shtuar se është në një linjë me ambasadorin amerikan.

“Unë e kam një emër timin. Jam deputet dhe gjykoj ashtu siç e mendoj, jo ashtu siç e mendon dikush tjetër dhe unë të interepretoj mendimet e dikujt tjetër. Besoj fuqishëm që Kosova duhet të krijojë institucionet e veta. Duhet ta krijojë me urgjencë edhe institucionin e presidentit. Unë nuk kam përmend kurrë emra, por presidenti i Kosovës dhe institucionet e tjera duhet të krijohen sepse është interes i Kosovës. Në këtë aspekt unë jam 100 % në linjë me presidentin e SHBA-ve [Philip Kosnett] – nuk po them se më ka thënë dikush, por se kështu mendoj vet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat