VOA: Ndërpritet seanca e parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit

Aktuale

VOA: Ndërpritet seanca e parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit

Më: 3 prill 2021 Në ora: 22:01
Kuvendi i Kosovës

Parlamenti i Kosovës ndërpreu të shtunën mbrëma seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, meqë nuk pati kuorum të mjaftueshëm.

Tetëdhjetë e katër deputetë ishin të pranishëm në seancë duke plotësuar kushtet për filmin e saj, meqë sipas kushtetutës së Kosovës në votim për presidentin duhet të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Por, në kutinë e votimit, u hodhën më pak vota se 80 sa duhet të jenë të paktën gjë që vlerësohet se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit.

Raundi i parë i votimeve u përsërit dy herë dhe ndërsa herën e parë pati 78 vota në kuti, herën e dytë ishin 79.

Vendimi se si do të vazhdohet më tej me procesin, pritet më vonë gjatë mbrëmjes.

Fillimi i seancës shënon hapjen e procesit të zgjedhjes së presidentit duke përmbushur kriterin e kushtetues se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimi të mandatit të Presidentit aktual”.

Ky mandat përfundon më 5 maj dhe data e fundit në të cilën parlamenti i Kosovës duhet të fillonte procesin e zgjedhjes së presidentit, është e hëna me 5 prill.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, paraqiti dy kandidatura për këtë post: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandidat në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Seanca për zgjedhjen e presidentit pasoi përplasje të ashpra politike në dy ditët e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të premten të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.

Madje Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.

Të shtunën pasdite kërkesa u tërhoq duke bërë që në seancë të marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike, por disa nga deputetët e saj nuk u përfshinë në votim, ndonëse ishin të pranishëm në seancë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, tha se zoti Kurti ka vendosur ta emërojë zonjën Osmani si presidente.

‘Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente atë po e emëron zoti Kurti dhe zoti Kurti po e dërgon zonjën Osmani në presidencë me një qëllim, që të ketë një kontroll absolut mbi institucionet e pavarura, mbi gjyqësorin, mbi ushtrinë, mbi shërbimin inteligjent dhe mbi shërbimin e jashtëm, sikurse ka kontroll edhe mbi këtë Kuvend edhe mbi vet qeverinë. Sepse në fund të ditës, kështu është se si zoti Kurti e sheh shtetin dhe shoqërinë kosovare në përputhje me parullën që e kemi dëgjuar edhe në fushatë zgjedhore, krejt dhe drejt, krejt dhe drejt duhet t’i binden zotit Kurti”, tha ai.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve edhe diplomatët perëndimor kanë bërë thirrje që të shmanget një mundësi e tillë në një periudhë kur Kosova përballet me situatë të rëndë shëndetësore e ekonomike për shkak të pandemisë së COVID-19.

Para seancës ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se “qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në parlament. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, shkroi ai.

Edhe diplomatë të tjerë perëndimorë bënë thirrje për pjesëmarrje në votim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat