“Treshja e dështimit” dhe “vota e shpresës” që po pushon në Pogradec

Aktuale

“Treshja e dështimit” dhe “vota e shpresës” që po pushon në Pogradec

Më: 4 prill 2021 Në ora: 10:35
Tre deputetët e LDK-së

Seanca e djeshme kaloi me debate e drama për numra për të zgjedhur presidentin/en e re të vendit.

Vjosa Osmani nuk ka arritur të sigurojë votën e 80, me të cilën do të merrte postin e presidentes.

Lidhja Demokratike e Kosovës e mbajti fjalën dhe qëndroi në sallë, madje nga 15 deputetë e saj 12 votuan, por jo edhe treshja e dështimit, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj.

Për gjatë gjithë seancës, kjo treshe nga LDK nuk bëri asnjë hap drejt kutisë së votimit, përkundër që rreth tyre kishte shumë lëvizje e biseda të kolegëve, ata qëndruan stoik.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin për presidente, madje i njëjti është në gjendje ta dorëzojë edhe mandatin e deputetit nëse kjo do t’i kushtëzohet.

Për kuorum duhen 80 vota, në raundin e parë morën pjesë në votim 78, ndërsa në të dytin 79.

Fati i Vjosa Osmanit nuk është vetëm në dorën e LDK-së, si duket tani do jetë në mëshirën e Xhavit Halitit. Ky i fundit dje nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ku u votua për president.

Ai ka deklaruar për media se është jashtë vendit dhe se nuk është i punësuar të punojë edhe të shtunave dhe dielave.

Por, Haliti, që është deputet i PDK-së ka thënë se nuk ka ftesë për seancë.

“Nuk e kam dit se nuk më ka thanë kërkush, jam në Pogradec, qysh kam me votu prej Pogradecit. Unë nuk jam i punësuar me punu edhe të shtunave dhe të dielave”, ka thënë Haliti për media.

E një ftesë për Halitin nga VV-ja nuk ka munguar, ka qenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që  është pyetur nëse kanë komunikuar me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti i cili tha se nuk ishte njoftuar për seancë dhe është jashtë vendit, por që se nëse do të ishte në Kosovës do të kishte marrë pjesë në seancë.

“Meqë ai ka shprehur vullnetin e tij për të votuar atëherë shpresoj që të jetë nesër në sallë. Natyrisht se i bëjmë ftesë edhe Xhavit Halitin që të vije nesër (sot) dhe të votojë.

E seanca për presidentin do të vazhdoj sot në ora 17:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat