Përfundon mbledhja e ministrave Krasniqi e Vitia me krerët e komunave, ja për çfarë masa të reja u pajtuan

Aktuale

Përfundon mbledhja e ministrave Krasniqi e Vitia me krerët e komunave, ja për çfarë masa të reja u pajtuan

Më: 4 prill 2021 Në ora: 12:42
Pamje nga takimi

(E plotësuar 12:05) - Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin virtual me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kundërshtuar kategorikisht mbylljen totale si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Si komunë, jemi kategorikisht kundër mbylljes totale. Kjo përkrahje na erdhi edhe nga shumë komuna tjera. Të mendosh për mbyllje totale, është t’ia shkaktosh vetës një greminë të thellë, nga e cila edhe ashtu kemi çaluar, ku nuk kemi për tu ngritur lehtë”, ka thënë Ismajli, thuhet në komunikatën për meida nga Komuna e Gjilanit.

Ismajli ka thënë se Qeveria duhet të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël në ekonominë e Republikës.

“Gjithashtu, në mbrëmjen e kaluar, sjelljet e AVUK-ut dhe Policisë së Kosovës, ishin irrituese duke u shkaktuar gjoba të papërballueshme bizneseve vendore”, ka alarmuar nënkryetari i Gjilanit.

Ismajli Pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve, e rrjedhimisht, edhe familjeve të cilat mbahen nga to.

“Ky veprim nga ana e tyre, është shumë i dëmshëm, dhe vetëm sa e keqëson gjendjen ekonomike, në një raport të drejtë bashkë me pandeminë. Duhet t’i ndajmë gjërat bashkë dhe ta nxjerrim më të mirën nga një gjendje e rënduar pandemike”, ka shtuar ai. 

Rahoveci kundër mbylljes totale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pasur sot një mbledhje virtuale me kryetarët e komunave të Kosovës. Megjithëse nuk kanë marrë pjesë shumë kryetarë komunash, duket se plani për mbyllje i prezantuar nga Vitia, nuk ka marrë pëlqimin e tyre.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar për express se nuk është pajtuar me masat e paralajmëruara nga ministri Vitia.

Latifi tha se në takim nuk kanë marrë pjesë shnumë kryetarë komunash.

“Pak kryetarë kanë marrë pjesë. Mund të them se ishim katër kryetarë dhe disa nënkryetarë të komunave. Ne i kemi gritur shqetësimet tona, nuk rekomandojmë mbyllje totale. Kam kërkuar që të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet nr i aktiviteteve inspektuese, të rritet përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë. Jo kuzifime të reja sepse ekziston rreziku real i humbjeve më të mëdha”, ka deklaruar Latifi.

Latifi tha se mbetet prioritet shëndeti publik, por sipas tij duhet të ketë mbikëqyrje të madhe të masave dhe jo masa të reja.

“E kemi prioritet shëndetin publik, por jo të ndërmerren masa të reja. Të ketë mbikëqyrje të shtuar. Ne po i kryejmë detyrat tona, por nuk është praktikë e mirë pa një koordinim me komunat të ndërmerren masa”, deklaroi Latifi.

Latifi tha se ministri Vitia ka deklaruar në takim se do të ndërmerren parasysh shqetësimet e kryetarëve për masat e reja.

“Ministri e paraqiti një tablo të gjendjes momentale epidemiologjike, pastaj rekomandimet dhe informacionet nga IKSHPK, por edhe ne i paraqitëm shqetësimet për komunën tonë. Na thanë që do ta bëjnë një draft ku do t’i marrin në konsideratë edhe shqetësimet tona. Sipas ministrit Vita nesër do ta paraqesë draftin te të gjithë kryetarët e komunave. Ai thotë se do t’i marrë edhe sugjerimet, por sipas tij jemi në presin të IKSHPK’së si institucion që e vlerëson më së miri situatën. Nuk duhet të ndërmerren veprime të ngutshme pa konsultim me kryetarët e komunave por edhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë më shumë konsultime dhe debate me komunat. Nuk jemi për mbyllje totale, duhet të kujdesemi të kemi parasysh edhe rrethanat tjera. Sepse humbjet i kemi të mëdha. Duhet të jemi të fokusuar në zbatimin e masave e jo në shtrengim të tyre”, ka deklaruar Latifi.

Ndërkaq, masat e propozuara deri më tani janë mbyllja e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollat, ndërkaq është bërë e ditur se kjo mbyllje do të mbëhet nga data 6 deri më 18 prill.

****

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi  dhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, mbajtën takimin virtual koordinues me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, për të diskutuar lidhur me situatën e pandemisë COVID – 19

Me ftesë të Ministrit të MAPL-së Elbert Krasniqi, Ministrit të MSH-së  Arben Vitia, është mbajtur takim virtual koordinues me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, me qëllim të diskutimit të masave të reja lidhur me pandeminë COVID – 19.

Ministri Krasniqi ka falënderuar kryetarët e komunave për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të  treguar lidhur me menaxhimin e situatës, tejkalimit të sfidave dhe zbatimit të masave lidhur me pandeminë globale COVID – 19.

“Ministri Vitia, duke falënderuar kryetarët e komunave për angazhimin e tyre gjithashtu potencoi se tani më ndodhemi në një situatë të rënduar. Ai theksoi se duhet mobilizim, koordinim dhe qasje më proaktive në raport me pandeminë për shkak të situatës së krijuar. Ai gjithashtu diskutoi së bashku me kryetarët e komunave nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Pushtetit Lokal.

Sipas ministrisë, kryetarët e komunave diskutuan rreth sfidave të ndryshme me të cilat janë duke u ballafaquar dhe dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për vendimet që duhen të merren nga institucionet përkatëse.

Si përfundim të pranishmit u pajtuan që bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet rreth masave të reja, mund t’ia dalin për të minimizuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat janë duke u përballur me pandeminë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat