Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, të pranishëm 84 deputetë

Aktuale

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, të pranishëm 84 deputetë

Më: 4 prill 2021 Në ora: 17:45
Kuvendi i Kosovës

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Seanca e sotme është vazhdimësi e asaj që u nis dje në ora 19:00, por që u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve, të nevojshëm për të krijuar numrin e duhur në votim. Seanca ka startuar me mbi 30 minuta vonesë ndërsa të pranishëm janë 84 deputetë.

Në garë për president nga Lëvizja Vetëvendosje është nominuar Vjosa Osmani-Sadriu, ndërkaq kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit mbrëmë dy herë, ku në votim nuk morën pjesë 80 deputetë, apo dy e treta e deputetëve, numër ky i cili është i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë në herën e parë 78 deputetë, në herën e dytë 79 përsëri numër i pamjaftueshëm në kutinë e votimit.

Në bazë të Kushtetutës së vendit, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe në raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

Mbetet të shihet nëse sot në Kuvendin e Kosovës do të ketë deputetë të mjaftueshëm për të zgjedhur presidentin e Kosovës derisa mbetet ende enigmë se si do të votojnë këta deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat