Osmani mori 69 vota

Aktuale

Osmani mori 69 vota

Më: 4 prill 2021 Në ora: 18:27
Vjosa Osmani

Ka përfunduar raundi i parë i votimit për president të vendit, ku në votim kanë marrë pjesë 81 deputetë. 69 vota ishin për kandidaten Vjosa Osmani, 0 vota për kandidatin Nasuf Bejta dhe 12 vota të pavlefshme.

Tashmë pritet të nis votimi për raundin e dytë për të zgjedhur të parin e shtetit, ndërsa duhet të konsumohen tri raunde për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit.

Anëtari i komisionit për organizimin e procesit të votimit Besian Mustafa, ka treguar rezultatet e votimit të parë për të parin e shtetit.

Mustafa: Asnjëri nga kandidatët nuk ka marr votat e nevojshme në votimin e parë

“Në votim kanë marrë pjesë 81 deputetë, të pavlefshme janë 12 fletëvotime, për znj.Vjosa Osmani-Sadriu kanë votuar 69 deputetë, për z.Nasuf Bejta kanë votuar zero deputetë. Prandaj, konstatojmë se asnjëri nga kandidatët nuk ka marr votat e nevojshme në votimin e parë”, tha ai.

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka nisur ditën e djeshme, por që për shkak të mungesës së kuorumit dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit. Në votimin e parë kanë marrë pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Sikurse sot, edhe gjatë ditës së djeshme në votim nuk kanë marrë pjesë tre deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj.

Sot në votim kanë marrë pjesë edhe deputetët nga pakicat jo serbe Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, e që të dy dje nuk kishin marrë pjesë në seancë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat